Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rusia dhe Ukraina bisedime të reja për paqen

Rusia dhe Ukraina bisedime të reja për paqen

Delegacionet ukrainase dhe ruse do të takohen sot për një raund tjetër bisedimesh, pasi Kievi refuzoi një ultimatum nga Moska që qyteti port i Mariupolit të dorëzohej brenda natës.

Rusia u kishte bërë thirrje trupave ukrainase në Mariupol që të linin armët dhe të largoheshin sot në mëngjes, dhe caktoi një afat në orën 05:00 (0200 GMT) që Ukraina të përgjigjej.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha për ”Ukrayinska Pravda” se përgjigjja se nuk do të kishte dorëzim i ishte komunikuar Moskës.

”Dy vendet duan të fillojnë bisedimet, të cilat do të zhvillohen virtualisht sot në mëngjes”, tha këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podoliak.

“Grupet e punës së të dyja palëve kanë punuar intensivisht kohët e fundit”, tha ai.

Bisedimet e nivelit të lartë të paqes u mbajtën të hënën e kaluar.

Podoliak beson se pozicioni i Moskës po bëhej “më i arsyeshëm” dhe ”më realist”.

Ai nuk dha detaje të tjera. /atsh