Rusia sulmon spitalin e fëmijëve në Idlib

Të paktën dy persona nga personeli shëndetësor u plagosën ndërsa pjesa e madhe e spitalit u shkatërrua pasi avionët luftarakë të Rusisë zhvilluan sulme ndaj vendbanimeve brenda kufijve të Zonës së Deeskalimit të Idlibit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Observatori i avionëve i opozitarëve njoftoi se avionët luftarakë rus në orët e vona të natës kanë sulmuar disa fshatra të rrethit Marretinnuman në Idlib.

Drejtori i spitalit obstetrik dhe të fëmijëve Ihlas në fshatin Shinan, Zuheyr Karrat, në deklaratën për AA tha se avionët luftarakë mbrëmë kanë zhvilluar sulme të dyfishta ndaj spitalit.

“Si rezultat i sulmit 80 për qind të spitalit u shkatërrua. U plagosën dy punonjës. Foshnjat në inkubatorët dhe të sëmurët u transferuan”, tha ai.

Ekipet e Mbrojtjes Civile të Idlibit (Helmetat e Bardhë) kanë evakuuar spitalin, ndërsa kanë shuar edhe zjarrin.

Në sulmet ruse të një jave të fundit në drejtim të Zonës së Deeskalimit të Idlibit kanë humbur jetën 12 persona.

Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u dakorduan që ta shndërrojnë Idlibin në një zonë të de-eskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.

Që nga ajo kohë deri më tani nga sulmet e regjimit dhe Rusisë humbën jetën mbi 1.300 civilë. 

Për një vit në vendet më të sigurta dhe në kufirin me Turqinë kanë migruar mbi 1 milion njerëz.