Rusia thotë se parandaloi vrasjen e presidentit bjellorus

Shërbimi Federal i Sigurisë ruse (FSB) arrestoi dy persona të shtunën me akuzat për përgatitjen e vrasjes së presidentit bjellorus Alexander Lukashenko dhe për planifikimin e një grushti shteti në Bjellorusi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Arrestimet u kryen bashkërisht me KGB-në bjelloruse (Komiteti për Sigurinë e Shtetit), thuhet në deklaratën e FSB-së.

Yury Zyankovich dhe Alexander Feduta organizuan një takim në Moskë, ku ata përshkruan në detaje planin e grushtit ushtarak, duke sugjeruar “eliminimin fizik” të Lukashenkos, marrjen e qendrave të radios dhe televizionit, bllokimin e ligjzbatuesve besnikë të qeverisë aktuale në kryeqytetin Minsk dhe organizimin e mbylljes së plotë të sistemit bjellorus të energjisë për të komplikuar veprimet e zbatimit të ligjit, thuhet në deklaratë.

Grushti i shtetit ishte planifikuar për më 9 maj dhe duhej të fillonte me një sulm të formacioneve të armatosura, “partizane”, të vendosura “në bazat e fshehura”, shtohet më tej.

Në një deklaratë të veçantë, Lukashenko tha se një grup kishte planifikuar vrasjen e tij dhe të fëmijëve të tij.

“Ne zbuluam përfshirjen e qartë të agjencisë inteligjente të huaj. Më shumë gjasa, Agjencia Qendrore e Inteligjencës, FBI, nuk e di se cili nga amerikanët ka punuar aty”, tha ai.

Sipas Lukashenkos, grupi përfshinte avokatin Zyankovich, i cili ka shtetësi të dyfishtë amerikane dhe bjelloruse, dhe analistin politik Feduta.

Lukashenko tha se Zyankovich dhe Feduta u arrestuan me kërkesën e tij.

Ai tha se beson se atentati ndaj tij u autorizua nga udhëheqja më e lartë politike amerikane.

Lukashenko gjithashtu theksoi se presidenti rus Vladimir Putin ngriti çështjen e përpjekjes nga shërbimet speciale amerikane ndaj presidentit të Bjellorusisë në një bisedë me homologun e tij amerikan Joe Biden por nuk mori përgjigje.

Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, Bjellorusia u përball me një përpjekje për të zbatuar skenarin e një revolucioni me ngjyra. Përpjekja dështoi, ndërsa shqetësimet dhe demonstratat kanë vazhduar. /aa