Sa kafe duhet të pini që të mos rrezikoni shëndetin e fëmijës, nëse po e ushqeni me gji

Nuk ka dyshim që prindërit me fëmijë të vegjël ndihen të rraskapitur gjithë kohës! Të rriturit e pinë kafenë si një zakon të përditshmërisë ose si nevojë për të marrë dozën e duhur të energjisë. Por, a është e këshillueshme kafeina për nënat që kanë fëmijët në gji?

Ekspertët rendisin disa arsye në lidhje me kafenë dhe gjidhënien, nga përcaktimi i kohës kur duhet konsumuar, tek sasia dhe rreziqet e mundshme që mund të sjellë kafeina tek foshnja që ushqehet me qumësht gjiri.

A është e sigurt kafeina gjatë ushqyerjes me gji?

Nëse po ushqeni me gji bebin, mund të keni dëgjuar se duhet kujdes edhe se çfarë hani dhe pini për shkak se si mund të ndikojë kjo tek foshnja. Ka shumë pak ushqime nga të cilat nënat që ushqejnë me gji duhet të shmangin plotësisht dhe kjo përfshin ushqime dhe pije që përmbajnë kafeinë, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Kafeina konsiderohet e sigurt gjatë ushqyerjes me gji”, thotë Andrea L. Braden, mjeke gjinekologe.

Sipas Dr. Braden, nuk ka shumë studime që vërtetojnë lidhjen mes kafeinës dhe ushqyerjes me gji, por shumica e ekspertëve thonë se duhet pirë sasi e moderuar kafeje gjatë kësaj periudhe.

Për sa kafeinë kanë nevojë nënat gjatë ushqyerjes me gji?

CDC(Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve) rekomandon që nënat që ushqejnë foshnjat me gji të konsumojnë jo më shumë se 300 miligramë kafeinë në ditë. Kjo llogaritet nga dy deri në tre filxhanë kafe e përgatitur në shtëpi. “Një aspekt tjetër që duhet kujdes është koha e konsumimit të kafesë”, thotë Dr. Jessica Madden, specialiste për ushqerjen me gji.

“Nivelet e kafeinës janë më të larta në qumështin e gjirit 60 deri në 120 minuta pas pirjes së kafesë, kështu që është e këshillueshme të ushqeni foshnjën me gji ose të pomponi qumështin para se të pini kafe”, shpjegon ajo. Kafeja nuk është i vetmi burim i kafeinës, ndaj duhet të shihni edhe produktet e tjera në dietën ushqimore që e përmbajnë atë, nga pijet energjike, çokollata dhe çaji.

Rreziqet e sasisë së madhe të kafeinës gjatë ushqyerjes me gji

Kur merrni më shumë kafeinë se doza ditore e lejuar, kjo mund të ketë pasoja dhe efekte negative tek fëmija. “Ashtu si të rriturit, foshnjat mund të zhvillojnë simptoma nëse konsumojnë shumë kafeinë”, thotë Dr. Madden. Ja disa prej këtyre pasojave:

1. Fëmijë i irrituar dhe hiperaktiv

Sipas CDC, hulumtimi ka zbuluar se sasitë e tepërta të kafeinës tek nënat që ushqejnë foshnjat me gji mund të çojnë në simptoma si nervozizëm dhe shqetësim. Kjo ndodh kur prindërit konsumojnë gati 10 filxhanë kafe në ditë(një sasi rekord).

2. Problemet e gjumit

Siç vërehet në një studim të LactMed, ka disa raporte ku thuhet se foshnjat që ushqehen me gji shfaqnin probleme me gjumin kur nëna konsumonte nivele të larta kafeine. Simptomat përfshinin zgjimin e shpeshtë, reduktimin e orareve të gjumit, etj.

3. Mungesa e hekurit

Ka disa prova që konsumimi i kafeinës mund të ndikojë në përmbajtjen e hekurit në qumështin e gjirit. “Marrja e kafesë prej 450 mililitrash mund të shoqërohet me pakësimin e hekurit dhe mund të çojë në anemi tek disa foshnje”, shpjegon Dr. David Berger, pediatër në SHBA.