Samiti i OBI-t, miratohet raporti për muslimanët e Arakanit

Foto nga arkiva

Në Samitin e Shkencës dhe Teknologjisë të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) që po mbahet në Astana të Kazakistanit njoftohet se është miratuar raporti përfundimtar në lidhje me muslimanët e Arakanit (Rohingya), të cilët së fundmi janë përballur me dhunë dhe masakra nga ushtria e Mianmarit dhe budistët radikalë, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev njoftoi për miratimin e raportit pasi paraprakisht është përgatitur me iniciativë dhe punime intensive të delegacionit turk.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, duke marrë fjalën pas miratimit të raportit, falënderoi presidentin Nazarbayev për mikpritjen dhe kryetarin e Komitetit të Përhershëm Shkencor dhe Teknologjik, presidentin pakistanez Memnun Husein, për kontributet në samit.

Ai tha se samitet janë të rëndësishme për këmbime të mendimeve dhe për të diskutuar për synimet e ardhshme.

“Varet prej të gjithë nesh se a do të jenë të përhershme dhe të rëndësishme për brezat e ardhshëm vendimet që ne i marrin këtu”, tha Erdoğan, duke uruar që samiti të jetë i dobishëm për botën islame.