Samsung fillon prodhimin në masë të ekraneve për iPhone 15

Media Koreane The Elec raportoi se Samsung Display mori dritën jeshile më 1 Gusht, përpara rivalëve LG Display dhe BOE.

Furnizuesi kryesor i Apple me ekran OLED, Samsung, ka marrë aprovimin për fillimin e prodhimit në masë të ekraneve për katër modelet iPhone 15 të cilët pritet të debutojnë në Shtator.

Media Koreane The Elec raportoi se Samsung Display mori dritën jeshile më 1 Gusht, përpara rivalëve LG Display dhe BOE.

LG Display, i cili furnizon me panele OLED modelet iPhone 15 Pro dhe Pro Max, ka marrë një aprovim të kushtëzuar për modelin e vogël iPhone 15 Pro ndërsa për iPhone 15 Pro Max pritet pas dy muajsh.

Ndërkaq furnizuesi i tretë BOE, i cili prodhon panelet për iPhone 15 dhe iPhone 15 Plus ende po pret aprovimin e Apple.

Është spekuluar se iPhone 15 Pro dhe 15 Pro Max do të kenë korniza më të holla ekrani sesa iPhone 14 Pro dhe 14 Pro Max. Një gjë e tillë ka shkaktuar probleme sidomos për LG Display që ka hasur vështirësi në implementimin e kornizës më të hollë.

Me të njëjtat probleme është ballafaquar edhe BOE sidomos me prerjen e Dynamic Island që do të vijë tek të gjitha modelet iPhone këtë vit. Si rezultat Samsung mori përsipër prodhimin e paneleve OLED të para.

Sipas raportit Apple po i jep prioritet prodhimit të modelit 6.1-inç iPhone 15 Pro mbi 6.7-inç iPhone 15 Pro Max i cili po përballet edhe me vështirësitë më të mëdha në prodhim.