Seancë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për protestat në Iran

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) mban seancën urgjente të thirrur nga SHBA-të për të diskutuar rreth protestave në Iran të cilat u mbajtën në ditët e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesja e përhershme e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley vlerësoi protestuesit anti-qeveritarë si njerëz të guximshëm që kërkojnë liri dhe që kanë nevojë për mbështetje nga pjesa tjetër e botës. Ajo tha se kjo ishte çështje e të drejtave të njeriut në Iran, por gjithashtu edhe e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Ryabkov të premten seancën e KS të OKB-së e vlerësoi si përpjekje amerikane për shkeljen e sovranitetit të Iranit.

Irani ka akuzuar Washingtonin për nxitjen e protestave anti-qeveritare.

Mijëra njerëz më 28 dhjetor dolën në rrugët e qyteteve verilindore të Iranit, Mash’had dhe Kashmar duke protestuar kundër inflacionit në rritje, papunësisë dhe mos angazhimit të duhur të qeverisë.

Megjithatë, në ditët e ardhshme, protestat u kthyen në tubime antiqeveritare, duke u shtrirë në provincat e Teheranit, Kermanshah, Sanandaj, Zanjan, Ahvaz dhe Arak. Të paktën 20 persona u vranë në trazirat, përfshirë një polic ndërsa më shumë se 1.000 protestues u arrestuan.