Ish-deputeti Korab Sejdiu gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se vetëm një koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes do të mundë ta shpëtonte Kosovën nga rreziku i krijimit të një koalicioni PAN 2, parti këto që sipas tij i kanë zaptuar gjitha institucionet. Sipas Sejdiut, Kosova gjendet në një kaos, prandaj qeveria e re do të jetë përcaktuese për të ardhmen e vendit, shkruan sot gazeta Zëri.
Zëri: E kemi parë që LDK-ja edhe LVV-ja nuk janë dakorduar pikërisht për postin e kryeministrit. E kemi në njërën anë Albin Kurtin nga LVV-ja dhe Vjosa Osmanin nga LDK-ja. Për cilin prej dy kandidatëve ka më shumë nevojë Kosova, sipas juve?
Sejdiu: Është hera e parë prej pasluftës ku Kosova dhe qytetarët e saj janë para një momenti kur vërtet e kanë vështirë të zgjedhin midis dy kandidatëve, jo siç ka ndodhur deri më tani, që nuk kanë pasur për kë të votojnë. Tani i kanë dy kandidatë të jashtëzakonshëm dhe besoj se është shumë vështirë për shumicën e qytetarëve të zgjedhin mes njërit ose tjetrit. Mendoj që të dytë janë dy pasuri të jashtëzakonshme që i ka Kosova dhe mendoj që ata dy së bashku me ekipin e tyre e krijojnë një lloj energjie të nevojshme për gjitha ato punë që mbesin të pakryera në Kosovë. Ka kaluar një kohë shumë e gjatë ku kemi pasur në pushtet njerëz jashtëzakonisht të dëmshëm, që kanë zaptuar postet kyçe vendimmarrëse në vend dhe ka qenë një disavantazh për Kosovën kur është përfaqësuar po nga ata njerëz. Është hera e parë që mund ta dërgosh Vjosën ose Albinin dhe mund të mburresh me ta kur ata të përfaqësojnë vendin, ta dimë që Kosova është në duar të sigurta.
Zëri: Pikërisht në kohën kur ju keni vendosur të mos kandidoni për deputet Kosova gjendet përballë shumë proceseve të rëndësishme, si në aspektin ndërkombëtar, ashtu edhe në atë vendor. Si duhet t’u qaset qeveria e re këtyre proceseve, duke përfshirë edhe dialogun, edhe marrëveshjen finale me Serbinë?
Sejdiu: Ne nuk mund të jemi si shtet peng i një çështjeje siç është dialogu me Serbinë, ndonëse kjo çështje është një prioritet dhe qeveria e ardhshme duhet që një pjesë të energjisë ta ketë të alokuar drejt dialogut me Serbinë. Por qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në problemet reale që ekzistojnë në Kosovë. Ato janë sundimi i së drejtës që lidhet me zaptimit total të shtetit nga partitë e PAN-it, sidomos nga PDK-ja, po ashtu duhet patjetër të adresohen problemet e shëndetësisë, ku përpos që nuk ka ilaçe, edhe kushtet janë të tmerrshme nëpër klinika. Çështje tjetër janë problemet në sistemin e arsimit, ku kemi parë një degradim të madh që nuk i ka ndodhur Kosovës as në kohën kur kemi qenë nën okupim, ndërsa në liri e kemi degraduar tërësisht dhe është krijuar një lloj sistemi i krijimit të diplomave, por në asnjë mënyrë i krijimit të dijes dhe shkathtësive. Këto janë tri prioritetet kryesore, që nëse fillojnë investimet aty fillojnë të shihen pasojat pozitive edhe në zhvillim ekonomik, në zvogëlimin e papunësisë e kështu me radhë.
Zëri: Kemi parë vazhdimisht kritika nga miqtë tanë lidhur me sundimin e ligjit. Sa janë premtuese zotimet e para të partive politike, që po e përdorin pikërisht këtë pikë për të kërkuar votën e qytetarëve dhe çka saktësisht duhet të bëhet në këtë fushë?
Sejdiu: Jam i bindur, njësoj siç janë edhe shumë qytetarë të Kosovës, që ata të cilët e kanë krijuar këtë problem dhe që u konvenon më së paku një vend në të cilin ka sundim të së drejtës janë pikërisht partitë e PAN-it ato që po i japin më së shumti tani zor, duke bërtitur që do ta luftojnë korrupsionin. Unë nuk besoj që këta persona kanë ndonjë pikë besueshmërie ta diskutojnë atë temë e lëre më të bëjnë premtime para elektoratit. Të vetmet që mund ta kryejnë këtë punë janë pikërisht LDK-ja dhe LVV-ja, por vetëm nëse bëhen bashkë, të vetme nuk besoj që mund ta kryejnë këtë synim. Unë besoj se diçka që ka munguar këto 20 vjet sa i përket sundimit të së drejtës është një qasje e përgjithshme drejt reformës. Nuk mund të rregullohet vetëm gjyqësori, vetëm Prokuroria ose vetëm Policia, këtu reforma duhet të fillojë që nga arsimimi juridik, po flas nga fakultetet juridike, veçanërisht ato publike, të cilat janë shndërruar në strofuj të militantëve politikë, të cilët janë duke e shkatërruar në tërësi sistemin e arsimit. Nëse ulen disa njerëz që vërtet e njohin sistemin dhe i njohin problemet, besoj se mund të bëhet një plan afatshkurtër që të kemi rezultate të shpejta, por njëkohësisht të kemi edhe një plan afatgjatë se si t’i arrijmë ato ndryshime rrënjësore, të cilat janë më se të nevojshme.







