Sekretari amerikan i Shtetit shënon Ditën Ndërkombëtare të Luftimit të Islamofobisë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shënoi të mërkurën Ditën e parë Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë, duke thënë se çdo person ka lirinë të shfaqë bindjet e tij.

“Çdo person, kudo ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes, fesë dhe besimit, duke përfshirë lirinë për të ndryshuar bindjet e tij ose për të mos besuar”, tha Blinken në një deklaratë.

“Çdo person ka gjithashtu lirinë, qoftë individualisht apo në bashkësi me të tjerët, publikisht apo privatisht, t’i shfaqë ato besime në adhurim, respektim, praktikë dhe mësimdhënie”, tha ai.

Blinken tha se muslimanët në mbarë botën shumë shpesh përballen me diskriminim dhe urrejtje bazuar në besimet e tyre fetare.

15 Marsi është një ditë që është e para e këtij lloji e shpallur nga OKB-ja në vitin 2022.

Kjo ditë shënon gjithashtu katër vjet nga sulmet terroriste në dy xhami në Christchurch, Zelanda e Re, ku një person i armatosur vrau 51 besimtarë muslimanë dhe plagosi 40 të tjerë.

“Në këtë ditë, ne tërheqim vëmendjen ndaj njerëzve në mbarë botën që ngacmohen, ndalohen, burgosen apo edhe vriten për identifikimin, praktikimin, konvertimin në Islam ose perceptimin si muslimanë.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbrojnë aftësinë e individëve për të jetuar në përputhje me diktatet e ndërgjegjes së tyre dhe të flasin në emër të atyre që u është mohuar aftësia për ta bërë këtë,” tha Blinken.

“Ndërsa muslimanët në mbarë botën përgatiten për muajin e tyre të shenjtë të Ramazanit, një kohë agjërimi dhe kujdesi për komunitetet, le të punojmë këtu në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj, për të luftuar këtë urrejtje,” tha ai.