Serbët e veriut kërkojnë takim urgjent me Vuçiq-in, ankohen për mos-tërheqjen e Kurtit për vendimin rreth targave

Serbët në veri të Kosovës kanë kërkuar një takim urgjent me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të lëshuar nga Lista Serbe, nga ku thuhet se në këtë takim pritet të diskutohet për kërkesën e Qeverisë së Kosovës që targat e automjeteve serbe të kthehen në targa legale të Kosovës.

Në njoftimin e Listës Serbe thuhet se në emër të popullit serb në Kosovë kërkohet një takim urgjent me presidentin serb, Vuçiq.

“Njoftimet për veprime të dhunshme ndaj popullit tonë nga Albin Kurti, sidomos në veri të Kosovës, ngjallin frikë dhe pasiguri dhe është e nevojshëm që urgjentisht të takohemi dhe të pajtohemi se si të ruhet qetësia dhe siguria e qytetarëve, që është jetike në popullin tonë. I gjithë populli ynë nuk pajtohet me lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, që synojnë të persekutojnë çdo gjë serbe”, thuhet në reagimin e Listës Serbe, transmeton lajmi.net.

Tutje u tha se deklaratat e Kurtit tregojnë se në Prishtinë nuk ka vullnet për të gjetur zgjidhje dhe kompromis.

“Por vetëm dëshirë për të shkaktuar krizë dhe tension, sidomos në veri.Populli serb në Kosovë i beson vendit të tyre Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq dhe ne do t’i përgjigjemi së bashku të gjitha sfidave që na presin”,thuhet në reagim.

Ky reagim erdhi pasi kryeministri Albin Kurti, deklaroi hapur dje se vendimi për targat nuk do të shtyhet pas datës 31 tetor.

Pavarësisht kërkesave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian që ky vendim të shtyhet, Kurti është deklaruar i palëvizur në këtë çështje.

Kësisoj nga serbet është kërkuar takim urgjent me Vuçiq-in, në mënyrë që të “qahen” në lidhje me këto kërkesa.