Serbët mbajnë peng urën dhe definimin e kufirit

BE-ja ka financuar mbi 3.5 milionë euro për dy projekte, revitalizimin e urës së Ibrit dhe zonën e këmbësorëve në rrugën “Mbreti Petër I” në veri të Mitrovicës, por ato mbahen peng nga strukturat komunale të veriut. Përveçqë ka pezulluar punimet, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, refuzon të nënshkruajë memorandumin për definimin e kufirit.

Bashkimi Evropian ka dështuar t’i përfundojë dy projektet e saj, të filluara në gushtin e vitit 2016, për të cilat ka investuar mbi 3.5 milionë euro, pasi strukturat komunale të Mitrovicës së Veriut nuk lejojnë përfundimin e punimeve në revitalizimin e urës dhe ndërtimin e zonës së këmbësorëve në pjesën veriore të urës.

Ka kaluar një vit qëkur Frederica Mogherini, shefja e diplomacisë evropiane, kishte mbërritur në Mitrovicë për ta hapur urën për qarkullim të automjeteve dhe të njerëzve, por për shkak të kundërshtimeve të autoriteteve të Komunës serbe të Mitrovicës së Veriut projekti për hapjen e urës nuk ishte jetësuar, shkruan “Zëri”.

BE-ja ka investuar paralelisht në dy projekte në Mitrovicë për revitalizimin e urës kryesore të Ibrit 1.45 milion euro dhe për ndërtimin e zonës së këmbësorëve në veri të urës, në rrugën “Mbreti Peter I”, 2.13 milionë euro.

Derisa projekti i parë, sa i përket pjesës jugore qëmoti ka përfunduar, punimet në projektin e dytë janë ndërprerë krejtësisht për shkak të obstruksioneve të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.