Serbët qe 18 vjet me sistem paralel në arsim

Sistemi paralel serb në arsim vazhdon që nga paslufta. Mësimi po zhvillohet sipas planprogramit të Serbisë, kurse mësimdhënësit serbë paguhen dyfish, përkatësisht nga buxheti i Kosovës si dhe nga ai i shtetit fqinj, transmeton zeri.info.

Nxënësit serbë në Kosovë vazhdojnë të mësojnë me planprogram të Serbisë, kurse mësimdhënësit e tyre marrin nga dy paga. Këta mësimdhënës marrin pagë nga Kosova dhe nuk i përgjigjen Qeverisë së këtij shteti, duke i mësuar nxënësit e tyre sipas sistemit arsimor të Serbisë. Pagë marrin edhe nga Serbia. Deri më tash Qeveria e vendit nuk ka bërë publike asnjëherë se sa mësimdhënës serbë paguhen dyfish.

Në komunën e Obiliqit janë në përbërje të sistemit arsimor katër objekte shkollore, në të cilat mësimin e zhvillon komuniteti serb. Afërsisht e vijojnë shkollën rreth 400 nxënës, megjithëse numri i tyre ndryshon për shkak të mosdeklarimit të shënimeve të sakta nga institucionet arsimore të komunitetit serb, transmeton zeri.info.

Agim Spahiu, drejtor komunal për Arsim në Obiliq, konfirmon për gazetën “Zëri” se gjendja nëpër shkollat ku mëson komuniteti serb vazhdon të mbetet e njëjtë në këtë komunë. Ai thotë se dhe mësimi zhvillohet sipas planprogramit të Serbisë. “Gjithçka vazhdon njëjtë, nuk ka ndonjë ndryshim”, thotë Spahiu.