Sevilla mposht Granadan e Uzunit

Sevilla ka shënuar fitore të vështirë por shumë të rëndësishme.

Të premten mbrëma në kuadër të xhiros së 31-të të elitës së futbollit spanjoll, Sevilla triumfoi me vështirësi përballë Granadas me rezultatin 4:2. Dy golat e fundit të vendësve u shënuan në kohën shtesë.

Me këtë fitore, Sevilla ngjitet përkohësisht në vendin e dytë në tabelë dhe ka 60 pikë. Ka nëntë pikë më pak se Real Madridi lider, dhe tri më shumë se Barcelona dhe Atletico Madridi që pozicionohen në vendin e tretë dhe të katërt. Duhet theksuar se Barcelona i ka dy ndeshje më pak të luajtura, kurse skuadrat madrilene kanë nga një ballafaqim më pak të luajtur.

Granada në vendin e 16-të mbetet me 29 pikë.

Granada kaloi e para në epërsi në minutën e 23-të nëpërmjet sulmuesit Darwin Machis.

Diego Carlos në minutën e 32-të i barazoi shifrat në 1:1. Për epërsinë 2:1 të Sevillas u përkujdes Lucas Ocampos në minutën e 68-të.

Andaluzianëve iu anulua një gol i Rafa Mirit në minutën e 76-të, për shkak të ndërhyrjes së palejuar.

Fundi i ndeshjes ishte dramatik. Mbrojtësi i mysafirëve, Victor Diaz, i barazoi shifrat dy minuta para fundit. Por, Rafa Mir shënoi pas asistimit të Ivan Rakitiqit në minutën e tretë të kohës shtesë për 3:2. Fitoren e vulosi Papu Gomez në minutën e 10-të të shtesës.

Reprezentuesi i Shqipërisë, Myrto Uzuni, ishte titullar te Granada në këtë takim dhe e kompletoi ndeshjen.