SHBA dhe BE mirëpresin dhe mbështesin veprimet e Kosovës për luftimin e krimit të organizuar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë mirëpritur dhe mbështetur angazhimin e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kjo u bë e ditur nga një deklaratë e përbashkët e sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken dhe shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të jashtme dhe Siguri Josep Borrel.

Në deklaratë është quajtur e papranueshme dhunën ndaj dhunën ndaj civilëve, gazetarëve, policisë, apo ndonjë autoriteti tjetër që kishin ndodhur gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri.

Në atë deklaratë thuhet se ata janë pajtuar për të forcuar angazhimin e përbashkët në Ballkanin Perëndimor në mbështetje të progresit të rajonit në rrugëtimin evropian.

“Ne theksojmë mbështetjen tonë të plotë për procesin e zgjerimit. Anëtarësimi në BE, prioritet i deklaruar nga i gjithë Ballkani Perëndimor, e ndihmon konsolidimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtat themelore dhe avancimin e sundimit të ligjit”.

Të dy në deklaratë theksuan se integrimi i afërt do të forcojë stabilitetin dhe do të kontribuojë në prosperitetin e njerëzve në rajon.

“Ky rajon i takon Bashkimit Evropian. Integrimi më i afërt do të forcojë stabilitetin dhe do të kontribuojë në prosperitetin e njerëzve në rajon. Në këtë kontekst, ne nënvizojmë se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të nisin pa vonesa”.

Po ashtu ata kanë përsëritur thirrjet për dialog mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nënvizojmë rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që është një mekanizëm kyç për të adresuar normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Pas javëve të tensionuara të fundit në veri të Kosovës, ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në një ulje të qëndrueshme të tensioneve dhe të evitojnë veprimet që kërcënojnë stabilitetin”.

“Ne mirëpresim dhe mbështesim angazhimin e Kosovës në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ritheksojmë se dhuna ndaj civilëve, gazetarëve, policisë, apo ndonjë autoriteti tjetër është e papranueshme”.

Shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrel, në reagimin e tij pas ngjarjes në veri i kishte quajtur ato si të “papranueshme” dhe ato veprime të institucioneve i kishte konsideruar si “veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara” që u panë si kritikë ndaj Kosovës.

Por, Kosova kishte pohuar se ka pasur koordinim edhe me faktorë ndërkombëtarë, ndërkohë që NATO-ja kishte konfirmuar se KFOR-i ishte në komunikim me “të gjitha institucionet relevante.