SHBA-ja, Britania, Gjermania, Italia dhe Franca me deklaratë të përbashkët për luftën në Siri

Deklarata bën thirrje për pjesëmarrjen e të gjitha palëve, përfshirë regjimin sirian, në një takim të Komitetit Kushtetues të Sirisë që do të mbahet në Gjenevë të Zvicrës më 21 mars

Ministrat e Jashtëm të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Italisë dhe Francës dolën me një deklaratë të përbashkët me rastin e 11-vjetorit të luftës civile në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke rikujtuar se sirianët dolën në rrugë 11 vjet më parë për të kërkuar liri, reforma politike dhe një qeveri që respekton të drejtat e njeriut, deklarata thekson se regjimi i Bashar al-Asadit iu përgjigj këtyre kërkesave me një sulm brutal ndaj popullit të tij që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Më tej thuhet se regjimi sirian dhe mbështetësit e tij janë përgjegjës për vdekjen dhe vuajtjet e një numri të madh njerëzish.

Deklarata më tej shton se tani është koha për të ndaluar sulmet brutale të regjimit të Asadit ndaj popullit të tij.

Duke rikujtuar se përvjetori i luftës në Siri përkoi me sulmin rus ndaj Ukrainës, deklarata tërheq vëmendjen për shkatërrimet e shkaktuara nga veprimet ruse në këto dy luftëra.

Ndër të tjera theksohet se pas më shumë se dhjetë vitesh konflikt, situata ekonomike dhe humanitare në Siri është shumë e vështirë. Në deklaratë thuhet se miliona refugjatë sirianë që kanë ikur në vendet fqinje, si dhe personat e zhvendosur brenda vendit, ende nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Deklarata bën thirrje për pjesëmarrjen e të gjitha palëve, përfshirë regjimin sirian, në një takim të Komitetit Kushtetues Sirian që do të mbahet në Gjenevë të Zvicrës më 21 mars. /aa