SHBA, rrëzohet një avion ushtarak në Georgia

Një avion ushtarak mallrash është rrëzuar këtë të mërkurë në Savannah të Georgias.

Lajmi konfirmohet nga Forcat Ajrore të Amerikës, të cilat thonë se bëhet fjalë për një avion “C-130” të Gardës Ajrore Kombëtare.

Ekipet e emergjencave i janë përgjigjur menjëherë njoftimit, sipas deklaratës së zëdhënëses së Aeroportit ndërkombëtar “Savannah/Hilton Head”.

Rrëzimi në fakt nuk ka ndodhur në pistën e aeroportit, por disa milje më larg në një autostradë, shtoi më tej zëdhënësja Candace Carpenter, ndërsa reja e dendur e tymit ishte e dukshme edhe nga aeroporti.

“Ishte e tmerrshme”, tha Denver Goodwin, që punon në një shërbim riciklimi pranë një varreze makinash, që e pa ngjarjen nga rruga më e afërt. “Toka u trondit si të ishte një bombë e hedhur aty. Të gjithë njerëzit në godinë u kapluan nga paniku. Ishte me të vërtetë e tmerrshme”.

Videot e publikuara nga filiali i CNN-it, “WSAV” shfaqën renë e dendur të tymit dhe flakët që vinin nga vendi i ngjarjes, që dyshohet të jetë një magazinë.

Një postim në “Twitter” nga Shoqata e Zjarrfikësve profesionistë të Savannah tregonte bishtin e avionët që bëhej i dukshëm mes zjarrit dhe tymit. Momentalisht u mbyll edhe qarkullimi në autostradën aty pranë.