SHBA, uragani Irma mund të shndërrohet në stuhi intensive tropikale

Pritet që uragani Irma, i cili goditi shtetin federal amerikan të Floridës dhe që po lëviz në veriperëndim, mund të shndërrohet në një stuhi të fuqishme tropikale, raporton Anadolu Agency (AA).

Intensiteti i uraganit i cili dje goditi pjesët jugore të Floridës me një shpejtësi prej 210 kilometrash në orë u dobësua në një kategori tjetër.

Instituti Kombëtar Amerikan për Uragane ka njoftuar se intensiteti i stuhive është zvogëluar. Megjithatë, rreziku i goditjes së erërave me shpejtësi prej 160 kilometrash në orë që lëviz drejt qytetit Tampa, që ka rreth tre milionë banorë, ende nuk ka kaluar.

Sipas njoftimit, uragani në mëngjes sipas kohës lokale në veri të Floridës dhe në jug të Xhorxhias mund të shndërrohet në stuhi tropikale.

Uragani Irma shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në zonat e prekura. Rreth katër milionë objekte banesore dhe afariste kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike, me ç’rast në këtë shtet amerikan është shpallur ndalesa për dalje në rrugë deri në mëngjes.

Era e fuqishme në Miami ka përmbysur pemët ndërsa në Fort Lauderdale janë shembur katër vinça.

Për shkak të uraganit gjatë vikendit në këtë shtet janë anuluar rreth 9.000 fluturime. Aeroporti Ndërkombëtar në Miami do të jetë i mbyllur edhe sot.

Zyrtarët më herët thanë se si pasojë e uraganit Irma tre persona humbën jetën. Uragani para se të godiste SHBA-të, mori të paktën 28 jetë në Karaibe.

Lidhur me këtë u mor një vendim për të evakuuar gati një të tretën e popullsisë në Florida (rreth 6.5 milionë njerëz) ndërsa gjendje e jashtëzakonshme (në tërësi ose pjesërisht) u shpall në shtetet e Karolinës së Veriut, Karolinën e Jugut, Xhorxhias dhe Virxhinias.