Shefi i inteligjencës së Türkiyes, Ibrahim Kalin, ka zhvilluar një takim në Stamboll me një delegacion të lëvizjes palestineze Hamas, bëjnë të ditur burime të sigurisë.
Kalin u takua të shtunën me Khalil al-Hayya, anëtar i Byrosë Politike të Hamasit dhe drejtues i ekipit negociator, si dhe me anëtarë të tjerë të delegacionit. Bisedimet u përqendruan në marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, e cila ka hyrë në fazën e dytë të zbatimit.
Sipas burimeve, palët ranë dakord të bashkëpunojnë ngushtë për rritjen e ndihmës humanitare, hapjen e Pikës Kufitare të Rafahut në të dy drejtimet, fillimin e detyrave nga Komiteti Kombëtar për Menaxhimin e Gazës, si dhe çështje të tjera të ndërlidhura.
Gjatë takimit, delegacioni i Hamasit shprehu mirënjohje ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdogan për rolin e Türkiyes si ndërmjetësuese dhe garantuese në përpjekjet për arritjen e paqes në Gaza, si dhe për rolin gjithnjë e më të theksuar të Ankarasë në fazën e dytë të marrëveshjes.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë më shumë se 71 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë, duke e lënë Gazën të shkatërruar. Edhe pse armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor, sulmet kanë vazhduar, me 481 palestinezë të vrarë dhe 1.313 të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. /mesazhi








