Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se përshkallëzimi i vazhdueshëm ushtarak në Lindjen e Mesme dhe në rajonin e Gjirit mund të përhapet “përtej kontrollit të kujtdo”, transmeton Anadolu.
“Të gjitha sulmet e paligjshme në Lindjen e Mesme dhe më gjerë po shkaktojnë vuajtje të mëdha dhe dëme për civilët në të gjithë rajonin dhe përbëjnë rrezik serioz për ekonominë globale, veçanërisht për njerëzit më të cenueshëm”, tha Guterres.
Duke theksuar se “situata mund të përshkallëzohet përtej kontrollit të kujtdo”, ai u bëri thirrje të gjitha palëve se është koha “të ndalet lufta dhe të fillojnë negociata serioze diplomatike”.
“Rreziqet nuk mund të jenë më të mëdha”, shtoi ai.
Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, tha gjatë një konference për media se shefi i OKB-së do të vazhdojë kontaktet me palët përkatëse “për të shtyrë drejt rikthimit në negociata serioze”.
I pyetur se sa më keq mund të përkeqësohet situata, Dujarric tha: “Nuk duhet shumë imagjinatë për të parë se si kjo situatë mund të bëhet edhe më e rëndë, qoftë duke kërcënuar unitetin e disa shteteve anëtare, duke vazhduar vuajtjet e civilëve apo duke përkeqësuar situatën rreth Ngushticës së Hormuzit”.
Duke theksuar ndikimin e mundshëm në furnizimet me energji, ai tha se efektet do të ndihen në të gjithë botën.
“Ne tashmë po shohim një rritje të çmimeve të naftës dhe ndikimin që kjo do të ketë, duke pasur parasysh varësinë tonë të vazhdueshme nga lëndët djegëse fosile”, shtoi ai.




