Shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së, Volker Turk tha sot se një sulm vdekjeprurës në një shkollë fillore në Iran ngjalli tmerr të thellë, duke u bërë thirrje të gjitha vendeve të ndërmarrin hapa urgjentë për të mbrojtur shkollat dhe civilët në konflikt, transmeton Anadolu.
“Bombardimi i shkollës fillore të vajzave ‘Shajareh Tayyebeh’ në Minab shkaktoi tmerr të thellë”, tha Turk duke iu referuar një sulmi ajror më 28 shkurt, ditën e parë të konfliktit aktual, të cilin analistët e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së thanë se ka shumë të ngjarë të ketë qenë rezultat i një sulmi amerikan. Sulmi vrau rreth 170 njerëz, shumica dërrmuese e tyre nxënëse shkolle.
“Imazhet e klasave të bombarduara dhe prindërve të pikëlluar treguan qartë se kush paguan çmimin më të lartë për luftën, civilë pa pushtet në vendimet që çuan në konflikt”, tha ai në fillim të një debati urgjent në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së.
Turk theksoi se “cilat do që të jenë dallimet që kanë vendet, të gjithë mund të biem dakord se ato nuk do të zgjidhen duke vrarë fëmijë shkolle”. Ai nënvizoi nevojën për të mbështetur të drejtën ndërkombëtare humanitare.
“U bëj thirrje të gjitha vendeve të ndërmarrin hapa urgjentë për të mbrojtur objektet arsimore dhe ata që studiojnë dhe punojnë në to”, tha ai.
Duke paralajmëruar për një konflikt në zgjerim, Turk tha: “Përshkallëzimi ushtarak në Lindjen e Mesme dhe Gjirin po arrin nivele të rrezikshme. Duhet të marrë fund. Ekziston rrezik i lartë dhe në rritje i përhapjes së mëtejshme dhe rritjes së vuajtjeve të civilëve në vendet e përfshira drejtpërdrejt përtej rajonit”.
“U bëj thirrje SHBA-së dhe Izraelit të ndërpresin sulmet e tyre kundër Iranit. I bëj thirrje Iranit të ndalojë sulmet ndaj fqinjëve të tij, të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e njeriut të popullit të vet. U bëj thirrje të gjitha shteteve t’i japin përparësi parandalimit të vuajtjeve të mëtejshme, mbrojtjes së të gjithë civilëve, pavarësisht kombësisë apo vendndodhjes si dhe kërkimit të paqes së qëndrueshme afatgjate”, shtoi ai.
Turk paralajmëroi më tej kundër përshkallëzimit të vazhdueshëm ushtarak, duke thënë: “Bombat dhe raketat nuk janë rruga drejt paqes së qëndrueshme. Ato sjellin vdekje, shkatërrim dhe mjerim”.



