Shekulli i kryeministrave shqiptarë

Zeqirija Ibrahimi

Duke mos lexuar asnjë projekt nacionalist nga Tirana, madje sinjalet që vijnë nga andej janë në drejtim “të bëhemi bashkë edhe me Serbinë, që të bëhemi bashkë edhe me shqiptarët”, si dhe duke pasur një Kosovë akoma ta pakonsoliduar si shtet, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe Mal të Zi kanë mbetur të organizohen kush si mundet dhe të artikulojnë politika si ua merr mendja atyre se janë të dobishme dhe për interesat e tyre, që herë janë personale e partiake e herë janë kolektive. Por, ata e kanë kuptuar mirëfilli se politikat nacionaliste nuk sjellin pushtet dhe andaj po zhvendosen në opsione të tjera.

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Derisa po e bëja skicën e këtij shkrimi, qëlloi që në Australinë e largët të zgjidhet për kryeministër një njeri që e mban mbiemrin Albanese (Anthony Albanese). Pasi që e pashë biografinë e tij, më rezultoi se ai kishte rrënjë nga arbëreshët e Italisë. Zgjedhja e tij ishte arsye që në rrjetet sociale të vijojë mburrja shqiptare se po rritet numri i kryeministrave shqiptarë në botë. Kështu, pas Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë, Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës, së fundi edhe pas zgjedhjes së Dritan Abazoviqit për kryeministër në Mal të Zi, shqiptarët kësaj liste ia shtuan edhe kryeministrin e Australisë, për të kremtuar se ky është “shekulli i kryeministrave shqiptarë”. Në të vërtetë, kjo listë mund të ishte edhe me numrin pesë nëse kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut do ta mbante premtimin për kryeministrin shqiptar edhe në këtë shtet.

Populli simbolik

Kur më 2020 djaloshi i ri nga Ulqini, Dritan Abazoviq, me partinë e tij URA (Ujedinjena Reformska Akcija / Aksioni i Bashkuar për Reforma), një subjekt politik qytetar me përbërje të përzier etnike, fitoi aq mandate deputetësh sa për të qenë çelësi i formimit të qeverisë së Malit të Zi dhe pastaj mori vendimin që ekzekutivin ta bënte me partinë proserbe të Krivokapiqit, pra jo me partinë e Gjukanoviqit, që përkundër aferave për korrupsion, e mban kursin euro-atlantik, në atë kohë shqiptarët vërshuan me komentet më negative, nga më të lehtat, që fillonin me fjalinë “është i manipuluar”, e deri te ato më të rëndat se “është në shërbim të Rusisë”. E kur pastaj, në fillim të vitit 2022, Dritan Abazoviqi vendosi të dalë nga ajo qeveri dhe me votat e partisë së Gjukanoviqit arriti të bëhej kryeministër i qeverisë së pakicës së Malit të Zi, po ata që e kishin sharë, tash dolën me shpjegime se “ky është një sukses i madh kombëtar”, se “kështu e kemi kryeministrin e tretë shqiptar në Ballkan”, se “kjo është ngjarje historike”, se “ky djalë e kishte gjetur rrugën që sjell sukses” e, madje, se “ai duhej të ishte model edhe për shqiptarët e tjerë në Ballkan”.

Një rrëfim pak a shumë i ngjashëm ka ndodhur më 2020 edhe në Maqedoninë e Veriut. Partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e drejtuar nga Ali Ahmeti, në zgjedhjet parlamentare të atij viti e kishte sloganin “Koha për kryeministrin e parë shqiptar”. Madje, ajo e kishte propozuar edhe kandidatin për këtë detyrë (Naser Zyberi – ish funksionar i viteve të ’90-ta i Partisë për Prosperitet Demokratik) dhe lajtmotivi i asaj fushate ishte edhe me pyetjen retorike “pse jo?”. Sidoqoftë, zgjedhjet përfunduan dhe Ali Ahmeti vazhdonte të këmbëngulte se e donte postin e kryeministrit. Megjithatë, për arsye të panjohura për publikun ai u detyrua të nënshtrohet dhe të pranojë që kryeministër të bëhet kryetari i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM), maqedonasi Zoran Zaev. (Ka qenë në atë kohë një skenë tragjikomike që vazhdon të komentohet ende në opinionin tonë. Derisa një gazetar e pyet Ali Ahmetin se “ti, si njeri i traditës zakonore shqiptare, ku e ke kryeministrin shqiptar?”, ai bën me shenjë kah Zaevi, për të thënë se ai do të përgjigjet, por që nga gjuha e trupit u lexua edhe se “ja ku është kryeministri shqiptar”). Sidoqoftë, Ahmeti e Zaevi njoftuan se kur të shpallen zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut, atëherë kur formohet qeveria teknike 100-ditëshe, edhe këtu do të ketë një kryeministër teknik shqiptar. Gjithsesi kjo mbetet të shihet. (Këtu duhet shtuar se BDI-ja e ka shpallur sukses “historik” edhe zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.)

Kur këto përshkrime i kontekstualizojmë në peshoren e suksesit të shqiptarëve në Ballkan, i bie të konstatojmë se për neve në këtë gjeografi është bërë me rëndësi që një shqiptar të bëhet kryeministër (ose kryetar Kuvendi) në një nga shtetet ku kombi ynë nuk përbën shumicën, pavarësisht se a është kjo me kauzë kombëtare, pavarësisht se a është kryeministër i qeverisë së pakicës së varur nga një parti joshqiptare dhe pavarësisht nëse ai është një kryeministër teknik. Me rëndësi është të jetë shqiptar, të dijë të flasë shqip ose të ketë origjinë shqiptare, qoftë edhe arbëreshe (si kryeministri i Australisë).

Duke e parë kështu, kjo përveçse flet se ne jemi bërë një popull që jeton në simbolikë e jo në përmbajtje realiteti, kjo nuk mund të mos na kthejë në historinë jo fort të largët për të pohuar se nuk po ndodhë asgjë e jashtëzakonshme dhe se këta nuk janë shembujt e parë dhe shqiptarët e parë që marrin këso detyra në shtetet ku janë pakicë. Më 1986-1987 kryetar i Republikës Federative të Jugosllavisë ishte Sinan Hasani (një shqiptar i Pozharanit të Kosovës), ndërsa në vitet 1986-1991 në Maqedoni kryetar i Kuvendit Republikan ka qenë Vullnet Starova (një shqiptar nga një familje e ardhur nga Pogradeci). Natyrisht, pozita e tyre nuk është përkthyer në më shumë të drejta e më shumë mirëqenie për shqiptarët. Për t’u bërë kryetar i Jugosllavisë sigurisht që është dashur t’i thuash vetes “jugoslloven”, në atë rast “sa albanskom porijeklom” (me origjinë shqiptare), të jesh anëtar i devotshëm i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe kështu është hapur rruga. Asgjë tjetër nuk ka bërë edhe Dritan Abazoviqi. Edhe ai e quan veten “crngorac sa albanskom porijeklom” (malazias me origjinë shqiptare) dhe është drejtuesi një partie joetnike/qytetare.

“Jugoslloven sa albanskom porijeklom” ose “pripadnik albanskoj narodnosti” (pjesëtar i kombësisë shqiptare) ka qenë edhe Vullnet Starova në kohën që Talat Xhaferi ka qenë epror i Armatës Popullore të Jugosllavisë. (Një digresion: shqiptarët në ish Jugosllavi nuk u njohën si komb, por si kombësi – një status më i ulët se kombi.) Në analogji me të, edhe Talat Xhaferi dhe partia e tij (BDI), me Marrëveshjen e Ohrit, e quajnë veten “bashkësi etnike” (një zëvendësim bashkëkohor për “kombësinë”), duke pranuar që kombi bartës i sovranitetit në këtë shtet janë maqedonasit. Si i tillë, edhe ai ka arritur të bëhet kryetar i Kuvendit.

Prandaj, kur këto figura kundrohen në këtë dioptri, natyrshëm shtrohet pyetja: çfarë ka më tepër Dritani se Sinani dhe çfarë ka Talati më tepër se Vullneti? Elementi përbashkues i të gjithëve është heqja dorë nga identiteti themelor kombëtar dhe, e dyta, heqja dorë nga kauza nacionaliste shqiptare. Pas kësaj asnjë post nuk është paarritshëm.

Kur mungon kauza kombëtare

Tashmë nuk është as teprim e as akuzë kur themi se as Shqipëria e as Kosova nuk janë projekte nacionaliste shqiptare. E para është themeluar në kundërshtim me parimin themelor të nacionalizmit modern shqiptar “një shtet – një komb”, sepse e ka lënë jashtë 2/3 e kombit dhe ka hequr dorë nga prirja e përfshirjes së tij, kjo për shkak të presioneve të jashtme dhe pafuqisë së brendshme, ndërsa e dyta (Kosova) le që nuk është projekt i nacionalizmit shqiptar, porse është një shtet qytetar pa asnjë element identifikues kombëtar. Pa dashur ta shtrojmë çështjen se pse vetëm shqiptarët në Ballkan, me inferioritet, kanë hequr dorë nga prirja e ndërtimit të shtetit kombëtar, pra edhe përkundër insistimeve sllave për shtete kombëtare, më duhet të konstatoj se në mungesë të një kauze të këtillë, më së keqi e kanë pësuar shqiptarët që jetojnë në shtetet e tjera ballkanike (Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Mal të Zi). Duke mos lexuar asnjë projekt nacionalist nga Tirana, madje sinjalet që vijnë nga andej janë në drejtim “të bëhemi bashkë edhe me Serbinë, që të bëhemi bashkë edhe me shqiptarët”, si dhe duke pasur një Kosovë akoma ta pakonsoliduar si shtet, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Serbi dhe Mal të Zi kanë mbetur të organizohen kush si mundet dhe të artikulojnë politika si ua merr mendja atyre se janë të dobishme dhe për interesat e tyre, që herë janë personale e partiake e herë janë kolektive. Por, ata e kanë kuptuar mirëfilli se politikat nacionaliste nuk sjellin pushtet dhe andaj po zhvendosen në opsione të tjera.

E vërteta është se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut edhe pse janë së paku 1/3 e shtetit (30 për qind), madje edhe pas luftës së vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, ata kanë pranuar të trajtohen në grupin e pakicave (zyrtarisht quhen “bashkësi etnike”), në një kosh me minoritetin turk, rom, serb e vlleh, që janë nën 4 për qind. Madje, duke jetuar në simbolikë, shqiptarët (partia shqiptare BDI) kanë pranuar të themelojnë një Ministri të Bashkësive Etnike (që udhëhiqet nga një shqiptar), duke e pranuar kështu me vullnet e kënaqësi kategorizimin se “shqiptarët janë bashkësi etnike”, që në interpretimin maqedonas dhe në konventat ndërkombëtare konsiderohet si “pakicë/minoritet etnik, që nuk ka evoluar në fazën e kombit”, në kuptimin modern të këtij nocioni. E duke e pranuar këtë rol, gjithsesi në mungesë të një projekti unifikues nacionalist, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut (përsëri BDI) e kanë shpallur sukses simbolikën – “shqiptari kryeministër” ose “shqiptari kryetar Kuvendi”. Kjo gjendje është pranim i rolit inferior në raport me maqedonasit, ngase në vend se interesi ynë në Maqedoninë e Veriut të jetë që të pranohemi si komb sovran, ashtu të regjistrohemi në kushtetutën e shtetit dhe prej saj të derivojnë të drejtat e njëjta kombëtare që i ka edhe kombi bartës i sovranitetit shtetëror (maqedonasit), shqiptarët kanë pranuar të jenë “bashkësi etnike”, t’i gëzojnë të drejtat e minoritetit dhe ta shpallin sukses simbolikën e posteve që mund të merren.

Kur flasim për shqiptarët në Serbi, ata atje trajtohen si pakicë kombëtare, i kanë dy komuna të cilat i udhëheqin bashkëkombësit tanë dhe mezi e fitojnë një deputet në parlamentin serb. Serbia të gjithë shtetasit e saj i quan “serbë”, ndërsa shqiptarë i fut në kategorinë “pakica etnike”. Në bazë të këtyre numrave, në Serbi nuk ka gjasa teorike që një shqiptar të bëhet kryeministër i Serbisë. Pos nëse nuk e merr shembull Dritan Abazoviqin për të thënë “ja sam srbin sa albanskom porijeklom” (jam serb me origjinë shqiptare).

Në Mal të Zi shqiptarët kanë disa parti politike, që deri tash kanë pasur përfaqësim minimal, me një ose dy deputetë në parlament, dhe një ose dy kryetarë komunash. Të gjendur në këtë situatë, kur nuk ka projekt nacionalist kombëtar, kur partitë shqiptare atje arrijnë suksese minimale, Dritan Abazoviqi del me një opsion joetnik (qytetar) dhe kështu bëhet kryeministër i Malit të Zi. Dhe, nëse këtë e konsiderojmë si sukses, i bie që mesazhi është se nëse zhvishesh nga identiteti kombëtar, del nga partitë etnike, nuk është problem të bëhesh edhe kryeministër. 30 vjet partitë shqiptare në Mal të Zi kanë arritur maksimalisht post të nënkryetarit të Kuvendit, ndërsa kur shqiptari i thotë vetes “jam malazias para se të jem shqiptar”, mund të bëhet edhe kryeministër.

Deetnizimi si “sukses”

Një projekt të tillë deetnizues, sigurisht për qëllime elektorale, e ka realizuar edhe Zoran Zaevi në Maqedoninë e Veriut në vitet 2015-2021. Kur duhej të rrëzohej Nikolla Gruevski, që vendi të integrohet në NATO, dhe kur u pa se me votat maqedonase LSDM-ja nuk e fitonte dot VMRO-DPMNE-në (partinë e Gruevskit), Zaevi e ndryshoi retorikën, duke u shprehur se ai është për shtet qytetar, pa prefiksë etnikë, pastaj i mori në partinë e tij disa shqiptarë që u bënë frontmenë të projektit të tij, derisa arriti të ketë rezultat të konsiderueshëm në fitimin e pushtetit. Për fat të keq, kjo “qytetari” e Zaevit nuk ka prekur fare në identitetin e vetë shtetit, porse ka mbetur një retorikë për qëllime elektorale. E tash, kur Zaevi ka ikur, kanë filluar “të digjen” edhe figurat shqiptare në LSDM dhe ajo parti përsëri po kthehet në kampin etnik maqedonas. Për të qenë korrektë, duhet theksuar se eksponentët shqiptarë të LSDM-së nuk i thanë asnjëherë vetes “maqedonas me origjinë shqiptare”, porse ata e relativizuan identitetin e tyre etnik në favor të identitetit të përbashkët qytetar, që u përkthye në sloganin “një shoqëri”. Por, një projekt që nuk pati sukses në Maqedoninë e Veriut, doli ndryshe në Mal të Zi.

Sidoqoftë, ajo që ndodhi në Mal të Zi i ka ekzaltuar edhe shqiptarët e tjerë, sepse të rinjtë që nuk janë të brumosur në njohjen e historisë shqiptare, me teorinë e kombit e të shtetit modern dhe që politikën e shohin si karrierë, modelin e kanë në Podgoricë – “Nëse dëshiron të ngjitesh shkallëve të suksesit politik, shembull e ke Dritanin”.

Kah ta drejtojmë gishtin?

Që të mos i mbetem borxh askujt, në asnjë rast nuk dua ta akuzoj personin Dritan Abazoviq. Në mungesë të në kauze shqiptare dhe duke parë jetën politike të partive etnike shqiptare, ai thjesht është bërë një politikan pragmatik, që e ka gjetur rrugën e suksesit në karrierën politike, sigurisht edhe duke shpjeguar se nga ajo pozitë mund t’u ndihmojë edhe zonave shqiptare në Mal të Zi. Pavarësisht se çmimi mund të jetë asimilimi, ai është pragmatist politik.

Prandaj, nëse do të duhej t’ia drejtojmë gishtin dikujt, kjo nuk është Podgorica, por Tirana. Kur shqiptarëve në Serbi e në Mal të Zi u bëheshin mbiemrat “Abazoviq”, në Maqedoni “Abazov” e “Abazovski” ose “Abaz” (pra, pa trajtën shquese të emrave të përveçëm shqiptarë), kur shqiptarët e këtyre shteteve nuk ndjejnë kurrfarë fryme inkluzive kombëtare nga Tirana, por ndjehen të braktisur plotësisht dhe të lënë në qiell të hapur, ajo që do të vijojë do të jetë së pari asimilimi politik (siç tashmë ka ndodhur në Mal të Zi dhe përpjekje të tilla shfaqen edhe në Maqedoni të Veriut), ndërsa bashkë me këtë do të vijojë edhe asimilimi etnik (siç ka ndodhur tashmë në Sanxhak, siç po ndodhë aktualisht në rrethe të caktuara të Malit të Zi, ndërsa vijon edhe sot në Manastir, Prilep, Ohër e Veles në Maqedoninë e Veriut). Prandaj, nëse ka ndonjë fajtor se pse shqiptarët po deetnizohen nëpër shtetet e tjera ballkanike, arsye për këtë është sepse Tirana sillet ndaj tyre si një shtet fqinj e jo si një shtet amë, se ajo nuk investon asgjë për kulturën e shqiptarëve përtej kufijve të saj dhe për arsimin e tyre (Dritan Abazoviqi nuk u shkollua në Tiranë, por në Sarajevë), se asaj nuk i bën përshtypje statusi juridiko-kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, në Serbi e në Mal të Zi. Vetëm pasi ta konstatojmë këtë, vijon faji i veçantë i gjithsecilit nga ne që në vend se të kapemi për përmbajtjen, kapemi për simbolikën, në vend se ta marrim mësim nga fqinjët tanë sllavë si e mbrojnë kombin dhe shtetin, ne fillojmë t’i adhurojmë ata dhe të bëhemi si ata dhe, krejt në fund, duke menduar se fati i planetit varet nga ne, viktimizohemi për kauza ndërkombëtare, duke e nëpërkëmbur kauzën tonë kombëtare. Gjithsesi një paradoks i prioriteteve, por një e vërtetë e të vërtetave.

Për ta përfunduar, duke e kontekstualizuar në Malin e Zi dhe temën e këtij të numri të revistës, do të kishim thënë se nëse Dritan Abazoviqi meriton t’i shkulen veshët që heqë dorë nga përkatësia e tij themelore kombëtare, Sali Berishës, Fatos Nanos e Edi Ramës duhet hequr shuplaka që kanë lejuar për kaq vite që shqiptarët të vijnë në këtë derexhe. Dritani është pasoja. Tirana është shkaku. /shenja