Shpërthim në fabrikë fishekzjarresh, të paktën 47 viktima

Një shpërthim që ndodhi në një fabrikë fishekzjarresh pranë kryeqytetit indonezian Xhakarta, ka lënë të vdekur të paktën 47 vetë dhe ka plagosur dhjetëra të tjerë.

“Gjithsej 47 vetë vdiqën. Nuk e dimë me siguri numrin e njerëzve që janë ende të zhdukur,” tha një zyrtar i autoriteteve lokale.

Zjarri filloi të enjten në mëngjes në fabrikën e vendosur në një kompleks deposh në Tangerang, një qytet në krahinën Banten në periferi të Xhakartas.

Një raport i policisë tha se zjarri u përhap pas një shpërthimi dhe se kulmi i fabrikës ishte shembur.

Dhjetëra të plagosur janë duke u trajtuar nëpër spitalet lokale, dhe fabrika kishte hyrë në funksion për më pak se dy muaj. /MESAZHI/