Shpëtohet djali i pestë i bllokuar në shpellë

Zhytësit në Tajlandë kanë shpëtuar të hënë djalin e pestë të bllokuar brenda në shpellë në Tajlandë prej dy javësh.

Katër nga djemtë, u nxorën nga shpella shëndoshë e mirë të dielën, por misioni u ndal gjatë natës në mënyrë që të zëvendësoheshin bombolat e ajrit.

Djemtë mbetën të bllokuar në shpellë më 23 qershor, pasi shira të rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje të mëdha, por u gjetën gjallë javën e kaluar nga zhytësit.

Skuadrat e shpëtimit vendosën të nisin operacionin e vështirë të lirimit të tyre për shkak të frikës se niveli i ujit mund të rritet sërish.

Skuadrat e shpëtimit përfituan nga pushimi i shirave të dielën, për të nisur misionin më herët nga sa pritej.

Shefi i misionit të shpëtimit, Narongsak Osottanakorn, tha se zhytësit hynë përsëri në shpellë në ora 11:00, sipas kohës lokale.

Operacioni pritet të përfundojë deri në orën 21:00, tha ai. Në operacionin e shpëtimit është angazhuar më shumë staf sesa të dielën.

“Emrat e djemve të shpëtuar nuk janë bërë publik në respekt të familjeve, djemtë e të cilëve ndodhen ende në shpellë”, shtoi Osottanakorn.

/Ora News.tv/