Shqipëri, mbahet protestë kundër “korrupsionit dhe varfërisë”

Në Shqipëri është mbajtur një protestë me moton “Populli kundër korrupsionit dhe varfërisë”, raporton Anadolu.

Qindra qytetarë kanë protestuar përpara sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë, gjatë kohës që mbahej seanca parlamentare, në të cilën është planifikuar të miratohet edhe buxheti për vitin 2026.

Protesta është organizuar nga partia parlamentare opozitare Lëvizja Bashkë, me kërkesat për “shkarkimin e kryeministrit Edi Rama dhe zv/kryeministres Belinda Balluku”, e cila është e pezulluar nga detyra.

Gjatë protestës u shfaqën pankarta nga aktivistët dhe qytetarët pjesëmarrës me mesazhe kundër Qeverisë së Shqipërisë dhe përfaqësuesve të saj, sipas tyre mbi rastet e korrupsionit dhe kundër projektbuxhetit për vitin 2026.

Sipas organizatorëve, gjithashtu kërkohet edhe vendosja e minimumit jetik si bazë e rritjes së pensioneve dhe miratimi i statusit të minatorit.

Protestuesit kanë theksuar se kërkojnë rritjen e buxhetit për arsimin dhe shëndetësinë, përkatësisht në 4 për qind dhe 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB).

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur më 19 nëntor të pezullojë nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën “ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Sipas autoriteteve, ajo akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ndërkohë çështja në fjalë ka shkaktuar reagime të partive politike opozitare dhe aktivistëve.

Çështja është dërguar nga Qeveria e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila kundërshton pezullimin.