Shqipëria mposhtet thellë në “Wembley”, mbetet pa gjasa për pozitën e dytë

Një ekip i frikshëm i Anglisë ka shkatërruar Shqipërinë në pjesën e parë të ndeshjes të luajtur të premten mbrëma në “Wembley”. E inspiruar nga kapiteni Harry Kane, Anglia shënoi pesë gola në pjesën e parë, për të fituar thellë në fund ndaj kuqezinjve. Rezultati 5:0 mbeti deri në fund, duke e lënë kështu pa gjasa Shqipërinë për të përfunduar në vendin e dytë në grup, që siguron avancimin në plejof për kualifikim në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.

Shqipëria është e treta me 15 pikë nga nëntë ndeshje. Polonia renditet e dyta me 20 pikë, ndërsa Anglia udhëheq në Grupin I me 23 pikë. Hungaria ka mbetur në vend të katërt me 14 pikë.

Harry Kane shënoi tre gola për ta udhëhequr Anglinë drejt fitores bindëse ndaj Shqipërisë. Ai realizoi për 2:0 në minutën e 18-të, për 4:0 në minutën e 33-të dhe për 5:0 në kohën shtesë të pjesës së parë. Harry Maguire shënoi për 1:0 në minutën e nëntë, ndërsa Jordan Henderson realizoi gol në minutën e 28-të për 3:0.

Ndeshja do të mund të kishte rrjedhë tjetër, sikur Myrto Uzuni të realizonte mundësinë e artë që e kishte. Por i vetëm përballë portierit Jordan Pickford, Uzuni dështoi. Nuk është hera e parë që ky sulmues lëshoi rast të mirë në këtë cikël eliminator.

Në pjesën e dytë shifrat nuk ndryshuan, ndërsa Anglia sikur u ndal.

Pas tri ditësh, Shqipëria e pret Andorrën. Polonia takohet me Hungarinë, ndërsa San Marino e pret Anglinë.