Shqipëria shënon Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë

Në Shqipëri shënohet sot Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, ndërkohë në vend janë organizuar ceremoni dhe aktivitete të ndryshme, raporton Anadolu.

Ceremonia qendrore për 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është mbajtur në Sheshin e Flamurit në Vlorë me pjesëmarrjen e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarit të Kuvendi të Shqipërisë, Niko Peleshi, Kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë.

Në Vlorë u mbajt ceremonia shtetërore e ngritjes së flamurit, ndërkohë zyrtarët e lartë vendosën kurora me lule dhe bënë homazhe pranë varrit monumental të Ismail Qemalit.

Në Tiranë u organizua ceremonia tradicionale e ngritjes së flamurit, në Sheshin “Skënderbeu”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të ndryshme dhe qytetarëve.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, në fjalën e saj në ceremoni u shpreh se festa e 28 Nëntorit është një ditë e shënuar për gjithë kombin shqiptar.

“Nuk ka asgjë më të çmuar sesa ta ndash këtë moment me njerëzit që do, me qytetin që do, me familjen tonë të madhe, këtu në Tiranë”, tha Ristani.

Me rastin e 28 Nëntorit, zyrtarë të lartë, si presidenti Begaj, kryeministri Rama, politikanë dhe drejtues të institucioneve të ndryshme kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit.

Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë janë dekoruar me flamuj dhe simbole të tjera kombëtare, ku sheshet, shtëpitë dhe godinat e institucioneve janë zbukuruar me ngjyrat kuqezi.

Në Shqipëri 28 Nëntori shënohet si festë zyrtare dhe festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, pasi më 28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë.