Ballina Artikuj ​Shqiptarët e Luginës së Preshevës shqetësohen nga zbatimi i Ligjve për të...

​Shqiptarët e Luginës së Preshevës shqetësohen nga zbatimi i Ligjve për të Huajt dhe Automjetet

Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjetet i ka shqetësuar shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Një numër i madh i qytetarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci jetojnë dhe punojnë përkohësisht në Kosovë, dhe druajn se këto masa mund të çojnë në rritje të diskriminimit ndaj tyre.

Qytetarë nga Lugina e përfaqësues politik atje, po i bëjnë thirrje qeverisë që këto ligje të mos zbatohen për ta. Kërkojnë edhe trajtim të barabartë e lehtësira në lëvizje e qëndrim.

Fatlind Azizi, është një i ri nga Presheva që jeton e punon që gati një dekadë në Prishtinë.

Gjashtë herë ka aplikuar për vazhdim të leje qëndrimit të përkohshëm, ende nuk është pajisur me këtë dokument të përhershëm.

“Unë jam me leje qëndrim prej gjashtë vitesh dhe nuk kam ende shtetësi dhe procedurat janë tepër burokratike dhe të tejzgjatura. Unë ndikohem drejtpërdrejt [nga Ligji për Automjete] shkaku i udhëtimit të lirë. Tani unë mund të udhëtoj pa ndërprerje si person, por vetura ime e cila është me targa të Preshevës, rrjedhimisht është veturë më e vjetër dhe nuk mund ta regjistroj në Kosovë. Nëse e regjistroj, më nevojitet leja e vozitjes së Kosovës. Nëse e marr lejen e vozitjes së Kosovës, automatikisht më tërhiqet leja e Serbisë. Rrjedhimisht më hapet procedura ose dosja e pasivizimit të adresës në Serbi. Kur pasivizohem potencialisht në Serbi, unë nuk mund të aplikoj pastaj as për leje qëndrim të Kosovës dhe i bie ose mbetem si person pa shtetësi, as të Kosovës, as të Serbisë. Pra mbetem qytetar i botës”, deklaron ai.

Nga data 15 ka filluar zbatimi i dy ligjeve, ai për të Huajt dhe të Automjeteve. Ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të marrin leje qëndrimi, ndërkaq sa i përket automjeteve me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në trafik në Kosovë për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.

Fatlindi, i cili është edhe përfaqësues i organizatës “Mozaik”, thotë se që në janar i janë drejtuar qeverisë dhe përfaqësuesve nga Lugina e Preshevës për t’i paralajmëruar për problemet që mund të sjellë zbatimi i këtyre ligjeve.

KosovaPress merr vesh që kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi ka kërkuar takim me përfaqësues të institucioneve për të diskutuar lidhur me këto çështje. Ky takim pritet të mbahet së shpejti në Prishtinë.

Edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti thotë për KosovaPress se nëse këto masa zbatohen për qytetarët nga Lugina, do të shtohet pasivizimi i adresave.

“Ka shumë qytetarë që janë të shqetësuar sepse edhe nuk i kanë informacionet e sakta. Madje edhe ne i kemi disa dilema rreth kësaj dhe ndoshta dhe nuk po duam të besojmë se realisht do të zbatohet ky ligj edhe tek qytetarët e Luginës së Preshevës, për shkak se dihet se është një numër i madh i qytetarëve të cilët përkohësisht jetojnë dhe punojnë në Kosovë dhe ata do të kenë shumë probleme pastaj për të lëvizë, për shkak se nëse detyrohen që ata të lëvizin brenda Kosovës me targa të Republikës së Kosovës, atëherë në momentin që vijnë tek familjarët e tyre këtu në Luginë, është pretekst i mjaftueshëm për shtetin e Serbisë, për policinë këtu që të fillojnë procesin e verifikimit dhe të pasivizimit të adresave. Pra, ky ligj, nëse zbatohet për qytetarët e Luginës, do të shkaktojë shumë probleme të mëdha”, shprehet ai.

Diskriminimi i këtyre banorëve do të thellohet edhe më tej, siç thotë Pajaziti, me theks të veçantë gjatë udhëtimit.

“Në anën tjetër, kemi dhe një numër qytetarësh të cilët jetojnë në Kosovë, e kanë dokumentacionin e Serbisë, janë qytetarë të cilët kanë veprimtari, biznese të ndryshme në Luginë dhe udhëtojnë çdo ditë. Dhe edhe këta do të kenë shumë probleme të tjera. Pra, në këtë rast kërkojmë nga qeveria, nga Ministria e Punëve të Brendshme, që ky ligj të mos zbatohet për qytetarët e Luginës së Preshevës, ashtu siç u nxor një vendim që mos të zbatohet për qytetarët serbë, në një afat sa ishte caktuar, tre muaj apo një vit”, thekson ai.

Lidhur me këtë, KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Azizi shprehet i zhgënjyer me institucionet kosovare, për shkak se konsideron që shqiptarët e tri komunave të banuara me shumicë shqiptare po trajtohen njëjtë si të huajt.

“Ti jeton, je pjesë përbërëse e shoqërisë, merr pjesë aktivisht në jetën socio-ekonomike, po ashtu edhe politike, dhe në fund të fundit ti llogaritesh prapë si i huaj. Pra, ne jemi të barabartë, pa dashur të ul askënd, po me një qytetar nga Kazakistani, Turqia ose Serbia. Pra ne nuk trajtohemi veçanërisht ose nuk kemi asnjë masë lehtësuese. Trajtohemi thjesht si qytetarë të shteteve të treta”, përfundon ai.

Në Prishtinë të shtunën (14 mars) janë takuar kryeministri Albin Kurti me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Në një deklarim për media u njoftua zbatimi i këtij ligji, për çka Kurti tha se do të zbatohet me lehtësira për serbët, përfshirë edhe përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga strukturat ilegale të Serbisë.

“Nga zbatimi i këtij ligji do të preken edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve që vijnë apo qëndrojnë në Kosovë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, Vranja dhe qytete të tjera të Serbisë. Një pjesë e tyre janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe edukative në sistemin ilegal paralel të financuar nga Serbia. Dua të potencoj që nuk është interes i Republikës së Kosovës që zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe atij për Veturat të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët”, ka thënë të shtunën Kurti.