Shqiptarët lindin më pak, ndikon edhe emigracioni

Numri i bebeve që lindin po reduktohet nga viti në vit. Sipas raportit më të fundit të INSTAT-it, lindjet për vitin 2018 kanë rënë me 17.4 për qind, kambanë alarmi kjo për qeverinë.

Më 1 janar të vitit 2019 kemi pothuajse 3.700 meshkuj më pak të moshës 0-4 vjeç dhe gati 3.000 femra më pak të po kësaj moshe, krahasuar me 1 janarin e vitit 2018, vetëm për shkak se gratë shqiptare kanë ulur numrin e lindjeve.

“Dy janë arsyet kryesore. Së pari, sepse të rinjtë vendosin të bëhen prindër në një moshë më të madhe sesa dikur. Kjo për faktin sepse ata preferojnë të forcojnë pozitat e tyre të karrierës paraprakisht, e më pas të bëhen prindër. Ndërkohë që prindërit bënin disa fëmijë, sot është shumë e vështirë të kesh më shumë se dy lindje”, thotë Brikena Dedo, mjeke në Qendrën Shëndetësore Nr. 8.

E parë në aspektin social, ulja e numrit të lindjeve është një prirje e vendeve të zhvilluara, por për Shqipërinë, sipas sociologëve, duket e sforcuar, ndërkohë që shumë po emigrojnë dhe shqiptarët po lindin jashtë.

“Kjo prirje është e sforcuar, sepse shumë nëna shqiptare kanë dëshirë të lindin fëmijë, por nuk kanë kushtet minimale për të mirërritur fëmijët e tyre. Emigrimi, kryesisht i të rinjve të moshës 18-40 vjeç, bën që një pjesë e lindjeve të realizohen jashtë Shqipërisë. Por, shumica dërrmuese e atyre që lindin jashtë vendit, vështirë se do të kthehen në Shqipëri. Një hemorragji e madhe gjaku shqiptar nëpër botë do të bëjë që ndoshta në një të ardhme jo të largët, me shumë dhimbje e them, ne të humbim atdheun, të humbim Shqipërinë”, deklaroi Zyhdi Dervishi, sociolog.

Sociologu i njohur Zyhdi Dervishi propozon edhe çfarë duhet bërë për të shpëtuar nga ky fenomen.

“Të trajtohen me përparësi kombëtare nënat që lindin fëmijë, që për 3 vite pas lindjes të paguhen me pagë të plotë dhe të mirërrisin fëmijën. Kjo do të ishte padyshim një zgjidhje që duket utopike, duket pak futuriste, por në fakt është një zgjidhje realiste sepse i siguron ardhshmëri kombit shqiptar në Ballkan”, tha sociologu Zyhdi Dervishi.

Një ndër politikat e qeverisë këtë vit ishte shpërblimi me bonus për nënën, për fëmijën e parë 40 mijë lekë; për të dytin 80 mijë lekë; dhe për fëmijën e tretë 120 mijë lekë. Top Channel