Shqiptari, shtetas i Serbisë dyshohet se mori pjesë në masakrën e Izbicës

Një person me inicialet M.A ishte arrestuar gjatë ditës së djeshme, nën dyshimin se ka kryer krime lufte ndaj popullatës civile në fshatin Izbicë të Skenderajt.

Prokuroria Speciale përmes një komunikate për medie ka bërë të ditur se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprës pena “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

PS-ja gjithashtu thekson se M.A është i nacionalitetit shqiptar, shtetas i Republikës së Serbisë, i cili dyshohet se mori pjesë në masakrën e Izbicës gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Prishtinë, 31 mars 2021 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin se është ndaluar një (1) person me inicialet M.A., për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, në shkelje të nenit 142 të Kodit Penal të ish RSFJ si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, po ashtu e dënueshme edhe me nenin 146 të KPRK-së. Prokuroria Speciale njofton se M.A. i nacionalitetit shqiptar, shtetas i Republikës së Serbisë, dyshohet se ka marr pjesë në masakrën e Izbicës, gjatë luftës në Kosovë. I njëjti brenda afateve ligjore do të paraqitet para Gjyqtarit të procedurës paraprake”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Ndryshe, një i dyshuar për krime lufte ndaj popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

Rasti është raportuar të ketë ndodhur në fshatin Izbicë të Skenderajt.

Policia e Kosovës në raportin ditor ka bërë të ditur se i dyshuari kosovar me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Fsh. Izbicë, Skenderaj (1998-1999) NN.   Me 30.03.2021 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti gjatë kohës së lartë cekur ka kryer veprën penale të lartë cekur.  Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.