Fati i kryeministrit izraelit mbetet në duart e Avigdor Liberman
Zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit në Izrael kanë prodhuar një rezultat që e lë Benjamin Netanyahun larg shumicës parlamentare. Blloku i tij ka siguruar 53 nga 120 mandatet, ndërsa kampi i opozitës, i drejtuar nga Gadi Eisenkot, ka 48.
Dy listat arabe, Lista e Përbashkët dhe Ra’am, kanë fituar gjithsej 19 vende, duke regjistruar rezultatin më të mirë në historinë e tyre. Asnjëra palë nuk i ka 61 mandatet e nevojshme për të formuar qeverinë, por qëndrimi i partive arabe mund të ndryshojë ekuilibrat.
Të shtunën, më 31 tetor, Ahmad Tibi, një nga drejtuesit e Listës së Përbashkët, deklaroi se partia do t’i rekomandojë presidentit Isaac Herzog kandidaturën e Eisenkot dhe do ta mbështesë qeverinë e tij nga jashtë, pa kërkuar poste ministrore.
Edhe Ra’am e Mansour Abbas pritet të ndjekë të njëjtën rrugë. Kjo mbështetje nuk përbën një aleancë qeverisëse, por një marrëveshje parlamentare që mund t’i japë opozitës hapësirën e nevojshme për të larguar Netanyahun.
Rritja e pjesëmarrjes së votuesve arabë, nga pak më shumë se 53 për qind në vitin 2022 në rreth 80 për qind këtë herë, ishte një nga faktorët përcaktues të zgjedhjeve.
Përfaqësuesit e tyre thonë se votuesit e panë procesin si një mundësi për të ndëshkuar Netanyahun dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvirin dhe Bezalel Smotrich.
Megjithatë, rezultati është shoqëruar me akuza nga Likud për ndërhyrje dhe financime nga Katari. Komisioni Zgjedhor nuk ka gjetur prova për manipulim sistematik, ndërsa hetimet e Shin Bet për dyshimet ndaj një deputeti arab nuk kanë ndryshuar rezultatin e votimit.
Oferta e Listës së Përbashkët është e qartë: rekomandimin e Eisenkotit për kryeministër, mbështetjen për zëvendësimin e kryetarit të Knessetit, Amir Ohana, dhe krijimin e një komisioni shtetëror hetimor për sulmin e 7 tetorit.
Ajo premton gjithashtu të mos mbështesë mocione mosbesimi të Likudit kundër qeverisë së re dhe të mos kërkojë shpërndarjen e Parlamentit.
Modeli kujton qeverinë e Yitzhak Rabinit në vitin 1992, e cila funksionoi me mbështetjen e jashtme të deputetëve arabë dhe miratoi Marrëveshjet e Oslos.
Por Eisenkot ka vendosur katër kushte për partitë që duan të bëhen pjesë e qeverisë: njohjen e Izraelit si shtet hebre, demokratik, liberal dhe egalitar; respektimin e vlerave të Deklaratës së Pavarësisë; pranimin e shërbimit ushtarak, kombëtar ose civil për të gjithë qytetarët; si dhe njohjen e Hamasit si organizatë terroriste që duhet të çarmatoset dhe të shpërbëhet në Gaza.
Këtu shfaqet dallimi thelbësor. Këto kushte vlejnë për ata që do të hyjnë në qeveri, jo për ata që do ta mbështesin atë nga jashtë. Ahmad Tibi ka refuzuar ta cilësojë Hamasin si organizatë terroriste, ndonëse e ka dënuar sulmin e 7 tetorit.
Lista e Përbashkët, kërkon ndër të tjera, një plan të financuar për luftën kundër kriminalitetit në qytetet arabe dhe një rrugë diplomatike drejt krijimit të shtetit palestinez.
Këto kërkesa nuk përputhen plotësisht me qëndrimet e partive opozitare sioniste, por mbështetja parlamentare mund të funksionojë përmes abstenimit dhe jo përmes pjesëmarrjes në kabinet.
Vendimtare do të jenë konsultimet me presidentin Herzog, që nisin më 4 nëntor. Bennett dhe Lapid kanë deklaruar se do të rekomandojnë Eisenkot, duke e bërë atë kandidatin më të mundshëm për të marrë mandatin e formimit të qeverisë.
Por rekomandimi nuk garanton shumicën. Vendimtar është Avigdor Liberman, kreu i Yisrael Beytenu, i cili kontrollon shtatë mandatet që mund të vendosin fatin e qeverisë së ardhshme.
Liberman ka përjashtuar rikthimin në një koalicion me Netanyahun, por kundërshton edhe një qeveri që varet nga votat ose abstenimet e partive arabe. Ai kërkon një qeveri të unitetit kombëtar.
Pa shtatë mandatet e tij, Eisenkot nuk arrin shumicën, edhe nëse merr mbështetjen e listave arabe. Edhe Bennett, ndonëse në vitin 2021 qeverisi me Ra’am në koalicion, këtë herë nuk dëshiron një kabinet të varur prej tyre.
Netanyahu po përpiqet ta shfrytëzojë këtë përçarje. Ai ka kundërshtuar publikisht çdo qeveri që mbështetet nga partitë arabe dhe po rikthen pretendimet për një votë të vjedhur, ndërsa aleatët e tij po promovojnë idenë e një qeverie të unitetit kombëtar.
Në këtë klimë, Ben Gvir ka përdorur një gjuhë fyese ndaj deputetëve arabë. Ndërkohë, në Tel Aviv, mijëra qytetarë kanë protestuar në mbështetje të një qeverie hebreje-arabe dhe kundër rikthimit të zgjedhjeve.
Rezultati është paradoksal: partitë arabe kanë ofruar mbështetje pa kërkuar pushtet, duke dobësuar alibinë e opozitës se pengesa për largimin e Netanyahut janë pikërisht ato.
Nëse kryeministri mbetet në detyrë, shkaku nuk do të jetë mungesa e votave arabe, por refuzimi i Libermanit dhe Bennettit për të pranuar një qeveri që mbështetet prej tyre.
Eisenkot mund të jetë përpara në numrin e rekomandimeve, por në politikën izraelite 60 nuk janë 61. Dhe pikërisht këtu qëndrojnë shtatë mandatet që mund ta fundosin Netanyahun ose ta shpëtojnë atë. /tesheshi





