Shtëpia e Bardhë: Biden dhe Putin do të takohen më 16 qershor

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, muajin e ardhshëm do të mbajnë takimin e tyre të parë ballë për ballë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas rreth një muaj diskutimesh midis Washingtonit dhe Moskës për kohën dhe vendin, është vendosur që takimi midis presidentit amerikan dhe atij rus do të mbahet më 16 qershor në Gjenevë të Zvicrës.

“Liderët do të diskutojnë për gamën e plotë të çështjeve urgjente, përderisa ne synojmë të rikthejmë parashikueshmërinë dhe stabilitetin në marrëdhëniet SHBA-Rusi”, tha në njoftim Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Takimi do të mbahet si pjesë e udhëtimit të parë ndërkombëtar të presidentit Biden, ku ai do të vizitojë Evropën për takime me aleatët, përfshirë samitin G7 në Britani që do të mbahet nga 11 deri në 13 qershor, si dhe shumë takime me partnerët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel më 14 qershor.

Samiti vjen mes problemeve në rritje të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Rusisë, përfshirë një sulm kibernetik për të cilin SHBA fajëson Rusinë që kompromentoi qeverinë dhe rrjetet e korporatave. SHBA vendosën sanksione ndaj Rusisë dhe dëbuan diplomatët e saj në përgjigje të sulmit dhe vazhdimisht kanë kritikuar Moskën për burgosjen e liderit të opozitës ruse, Alexey Navalny.

Navalny është helmuar me një agjent nervor dhe u dërgua në Gjermani për trajtim mjekësor. Ai u arrestua nga autoritetet ruse pas kthimit të tij në vend.

Presidenti Putin propozoi takimin në muajin prill kur ai telefonoi presidentin Putin për të paralajmëruar atë për ndëshkimet e atëhershme në pritje që SHBA do të impononte ndaj Rusisë në përgjigje të hakimit ‘SolarWinds’. /aa