Shteti aziatik ndalon TikTokun

Kirgistani e ka ndaluar platformën e videove të shkurtra, TikTok, pas apeleve nga organizatat joqeveritare për ndikimin e saj në zhvillimin mendor të fëmijëve dhe mirëqenien e përgjithshme. Vendimi është bërë i ditur të enjten nga Ministria e Kulturës, Informacionit, Sportit dhe Politikës Rinore.

Pas një vlerësimi, Ministria arriti në përfundimin se platforma nuk ka kontrolle adekuate për të parandaluar që fëmijët të kenë qasje në përmbajtje potencialisht të dëmshme.

Sipas Ministrisë, platformës gjithashtu i mungojnë masat e duhura të verifikimit të moshës për përdoruesit e saj.

Ministria ka thënë se TikToku tërheq përdoruesit në një sferë virtuale të videove të shkurtra dhe pas shikimit të këtyre, njerëzit përpiqen të imitojnë. Kjo gjë, sipas tyre, paraqet rreziqe kërcënuese për jetën.

“Një përmbajtje e tillë është vërejtur se ka ndikim negativ në mirëqenien emocionale të brezit të ri”, thuhet tutje në njoftimin e Ministrisë.

TikTok kohët e fundit është përballur me kufizime dhe ndalime në rritje në shkallë globale. /koha