Ballina Artikuj Si duhet t’i kuptojmë kufizimet e fesë?

Si duhet t’i kuptojmë kufizimet e fesë?

Hoxhë Halil Avdulli

Nëse vështrojmë teknologjinë moderne, për shembull veturat, vërejmë se përveç sistemit të frenimit, çdo ditë atyre u shtohen edhe shumë funksione të reja, ku pjesa më e madhe e tyre kanë për qëllim mbrojtjen e njeriut.
Po kështu është edhe feja, respektivisht sistemi që Zoti i Madhërishëm i ka zbritur njeriut, i quajtur Islam. Ai ka përcaktuar hallallin dhe haramin, duke qenë se është Krijuesi i njeriut dhe e di më së miri se çfarë i nevojitet atij.
▪️ Është mirë që konceptin e hallallit dhe haramit ta shohim si një udhëzim hyjnor për njeriun, të mbushur me dashuri, mirësi, afërsi dhe butësi.
Me fjalë të tjera, Zoti:
E këshillon njeriun për gjërat që i sjellin dobi dhe e nxit drejt tyre.
E ndalon nga gjërat që i shkaktojnë dëm dhe e largon prej tyre.
Sikur Zoti të dëshironte t’i thoshte njeriut:
«Bëje këtë, që të shpëtosh, të jesh i lumtur dhe të kesh sukses.
Mos e bëj këtë, që të mos vuash, të mos biesh në mjerim dhe të mos trishtohesh.»

Prandaj, askush të mos vijë e të thotë: «Kohët kanë ndryshuar, tani jemi ndryshe, duhet të përparojmë!»
Po, duhet të përparojmë! Por përparimi nuk do të thotë se gjithçka duhet të ndryshojë. Ka parime të qëndrueshme që mbeten të vlefshme dhe të domosdoshme, pavarësisht se sa ndryshojnë kohët.
Ndonjëherë njeriu dëshiron diçka, por pasojat e saj nuk i kupton derisa të pësojë dëmin.
Prandaj, i dashur mik, Islami është një mburojë për njeriun. Ai garanton të drejtat e tua të plota në të gjitha aspektet e jetës.

Hoxhë Halil Avdulli