Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Si po gjunjëzohet një superfuqi energjitike!

Si po gjunjëzohet një superfuqi energjitike!

Sulmet ukrainase me dronë po godasin zemrën e industrisë ruse të naftës, duke shkaktuar mungesa në të gjithë vendin

Ajo që deri pak javë më parë dukej si një problem i kufizuar në Krime, sot është shndërruar në një krizë që po prek pothuajse gjithë Rusinë.

Sulmet gjithnjë e më të sofistikuara të Ukrainës ndaj rafinerive, depove dhe infrastrukturës energjetike ruse kanë krijuar mungesa të konsiderueshme të karburantit, duke detyruar Kremlinin të ndalojë eksportet e benzinës dhe naftës për të furnizuar tregun e brendshëm.

Megjithatë, kjo masë nuk ka arritur të frenojë krizën. Në shumë qytete ruse janë krijuar radhë të gjata në pikat e karburantit, ndërsa në rrjetet sociale qarkullojnë video të qytetarëve që debatojnë për mungesën e benzinës.

Autoritetet kanë raportuar edhe raste të shitjes së paligjshme të karburantit në tregun e zi, me çmime shumë më të larta se ato zyrtare. Pasojat nuk kufizohen vetëm te drejtuesit e automjeteve.

Rritja e kostove të transportit ka ndikuar në çmimet e produkteve ushqimore, pasi mallrat transportohen kryesisht me kamionë. Në disa rajone janë vendosur kufizime për furnizimin me karburant, ndërsa sulmet ndaj rrjetit energjetik kanë sjellë ndërprerje më të shpeshta të energjisë elektrike.

Vështirësi po has edhe sektori bujqësor, ku fermerët janë detyruar të shtyjnë korrjet për shkak të mungesës së karburantit me çmime të përballueshme.

Goditja prek edhe financat e shtetit rus. Si një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë, Rusia është detyruar të reduktojë një pjesë të eksporteve dhe njëkohësisht të shpenzojë më shumë për subvencionimin e tregut vendas, në mënyrë që të zbusë rritjen e çmimeve.

Objektivi i Ukrainës është i qartë: të ushtrojë presion ekonomik dhe psikologjik mbi Rusinë, duke rritur pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë së Vladimir Putinit dhe duke dobësuar mbështetjen për luftën.

Fushata nisi fillimisht në Krime, ku sulmet ndaj linjave të furnizimit e izoluan pjesërisht gadishullin. Autoritetet lokale vendosën fillimisht racionimin e karburantit dhe më pas pezulluan shitjen për qytetarët, duke rezervuar sasitë e mbetura për shërbimet publike dhe ato emergjente.

Ndryshe nga fazat e mëparshme të luftës, Ukraina tani është në gjendje të godasë objektiva shumë më larg kufirit. Përparimi i teknologjisë së dronëve ka bërë të mundur sulme në rajone që Moska i konsideronte të sigurta.

Një nga goditjet më domethënëse ishte ajo ndaj një rafinerie në Omsk, në Siberi, mijëra kilometra larg vijës së frontit. Edhe rajone më lindore kanë nisur të lëshojnë alarmet e para për sulme me dronë.

Kriza ka arritur edhe në zonën e Moskës, një zhvillim veçanërisht i ndjeshëm për Kremlinin. Për të garantuar furnizimin e kryeqytetit, autoritetet kanë transferuar karburant nga rajonet periferike, duke përhapur mungesat edhe në zona që tradicionalisht kanë qenë prodhues të mëdhenj të benzinës dhe naftës.

Në Bashkiri, një nga qendrat kryesore të prodhimit të karburanteve, qytetarëve u është kufizuar sasia që mund të blejnë. Megjithëse sulmet me dronë kanë treguar efektivitet, ato kanë edhe kufizimet e tyre.

Sa më e madhe të jetë distanca që përshkojnë, aq më e vogël është sasia e eksplozivit që mund të transportojnë, çka kufizon dëmet afatgjata ndaj objekteve strategjike. Nga ana tjetër, Rusia vazhdon të ruajë avantazhe në përdorimin e raketave balistike kundër Ukrainës.

Për të përballuar krizën, autoritetet ruse kanë lejuar hedhjen në treg të karburanteve me cilësi më të ulët dhe, sipas raportimeve ndërkombëtare, kanë nisur të kërkojnë edhe furnizime nga jashtë. Një zhvillim paradoksal për një vend që prej dekadash konsiderohej një superfuqi energjetike dhe një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë. /tesheshi