Në kodrat që rrethojnë qytetin palestinez të Sinjilit, në Bregun Perëndimor të pushtuar, nata nuk është më sinonim i qetësisë.
Çdo mbrëmje, grupe vullnetarësh ngjiten në pikat më të larta të zonës për të vrojtuar lëvizjet në errësirë, duke kërkuar çdo shenjë që mund të paralajmërojë një sulm të mundshëm nga kolonët izraelitë.
Për banorët e këtij qyteti, kjo është bërë pjesë e jetës së përditshme.
Rreth 15 burra mblidhen rregullisht në një kodër pranë Sinjilit, të pajisur me prozhektorë, telefona dhe radio komunikimi. Ata janë pjesë e një nisme vullnetare të krijuar nga vetë komuniteti, e ngjashme me grupe të tjera që veprojnë në qytete të ndryshme të Bregut Perëndimor.
Qëllimi i tyre është një dhe i vetëm: të mbrojnë familjet dhe pronat nga sulmet, të cilat sipas banorëve janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit.
“Jemi lënë të vetëm. Po përballemi me kolonë që mbështeten nga qeveria e tyre. Nuk kemi askënd tjetër, ndaj jemi të detyruar ta mbrojmë vetë qytetin tonë”, thotë Fadi Alwan, një prej vullnetarëve.
Sipas banorëve, telefonatat drejt policisë apo ushtrisë izraelite rrallë sjellin ndihmë në kohë. Ata pretendojnë se forcat izraelite ose mbërrijnë me vonesë, ose ndërhyjnë në favor të kolonëve.
Ushtria izraelite i ka mohuar këto akuza, duke deklaruar se trupat dislokohen për të shpërndarë përplasjet, ndërsa përgjegjësia për veprimet e civilëve izraelitë në Bregun Perëndimor i takon policisë.
Në mbrëmjet e patrullimit, një pjesë e vullnetarëve qëndron në kodra duke monitoruar zonën, ndërsa të tjerë patrullojnë rrugët me automjete.
Komunikimi bëhet përmes grupeve në aplikacionin WhatsApp, ku banorët njoftojnë menjëherë nëse vërejnë lëvizje të dyshimta ose ndonjë sulm.
“Nëse kolonët afrohen pranë shtëpive, ne shkojmë t’i përballemi dhe njëkohësisht lajmërojmë të gjithë banorët përmes telefonave”, shpjegon Alwan.
Vetë ai tregon se vetëm pak ditë më parë ishte sulmuar gjatë korrjes së grurit. Sipas dëshmisë së tij, një kolon e goditi me një shkop të pajisur me gozhdë, duke i shkaktuar plagë që ende nuk ishin shëruar.
Ai shton se vitin e kaluar kolonët qëlluan me armë zjarri drejt tendës ku rrinin vullnetarët gjatë natës. Për fat, askush nuk u plagos. Të nesërmen, sipas tij, ushtria izraelite e çmontoi tendën.
Sinjili ndodhet në rrugën kryesore që lidh Ramallahun me Nablusin, ndërsa kodrat përreth janë të mbushura me vendbanime dhe poste kolonësh izraelitë. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij kanë miratuar ndërtimin e qindra vendbanimeve dhe posteve të reja në Bregun Perëndimor.
Qeveria izraelite pretendon se këto vendbanime kanë rëndësi strategjike dhe ndihmojnë në pengimin e krijimit të një shteti palestinez. Ndërkohë, shumica e komunitetit ndërkombëtar i konsideron vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Izolimi i Sinjilit është thelluar edhe më shumë gjatë muajve të fundit. Autoritetet lokale thonë se ushtria izraelite ka mbyllur katër nga pesë hyrjet e qytetit dhe ka ndërtuar një mur metalik që i ndan banorët nga rreth 2 mijë hektarë tokë private.
Kryetari i bashkisë së Sinjilit, Moataz Tawafsha, thotë se pas fillimit të luftës në Gaza, në tetor 2023, sulmet e kolonëve u shtuan ndjeshëm, duke e detyruar komunitetin të organizojë vetë mbrojtjen.
“Ndihemi sikur jetojmë në një burg kolektiv. Për këtë arsye bashkia ka marrë përgjegjësinë kryesore për organizimin e mbrojtjes së banorëve,” deklaron ai.
Sipas autoriteteve lokale, që nga tetori i vitit 2023, sulmet e kolonëve kanë shkaktuar vdekjen e dy personave dhe kanë detyruar më shumë se 100 pjesëtarë të komunitetit beduin palestinez të largohen nga tokat e tyre.
Po ashtu, rreth 20 familje janë shpërngulur edhe nga vetë qyteti për shkak të pasigurisë. Një prej tyre është Abed Foqahaa. Ai ka vendosur hekura në dritare dhe ka ngritur një gardh të lartë metalik rreth shtëpisë, pasi kolonët hodhën një koktej Molotov në banesën e tij ndërsa familja ndodhej brenda.
“Flakët u përhapën me shpejtësi dhe nuk arritëm t’i kontrollonim. U përpoqëm të shpëtonim shtëpinë, por të gjithë u prekëm nga tymi”, kujton ai.
Përmes grupit të WhatsApp-it të qytetit ai kërkoi ndihmë. Edhe pse ushtria izraelite fillimisht e pengoi kalimin e të rinjve që po vinin për ta ndihmuar, ata arritën të mbërrinin dhe të nxirrnin nga shtëpia babanë e tij, i cili lëviz me karrocë.
“Zoti i bekoftë. Ata na shpëtuan dhe na ndihmuan në momentin më të vështirë”, përfundon Foqahaa. /tesheshi



