Si të jemi sa më të organizuar në punë

Rendimenti është ngushtësisht i lidhur me efikasitetin dhe është një prej elementeve më të rëndësishme në ecurinë e një kompanie.

Ritmi i lartë i punës dhe mbingarkesa shpeshherë ndikojnë negativisht në rendimentin e punonjësve në punë, sidomos tek ata punonjës të cilët nuk janë të mirorganizuar.

Më poshtë do të lexoni disa këshilla të cilat do t’ju ndihmojnë që të jeni sa më të organizuar dhe të keni rendiment të lartë edhe gjatë ditëve kur do të jeni të mbingarkuar apo kur mund t’ju dalin situata të cilat nuk i kishit parashikuar:

Fillojeni ditën e punës me një strukturë të qartë

Niseni me kontrollimin e postës suaj elektronike. Përgjigjuni email-eve dhe dërgojini pjesën më të madhe të email-eve që në fillim të ditës, në mënyrë të tillë që të merrni edhe përgjigje sa më shpejt. Skeduloni detyrat tuaja më të rëndësishme, duke caktuar përbri secilës kohën që mund të marrë secila. Mbi të gjitha mos harroni të hiqni nga lista juaj punët të cilat kanë përfunduar.

Përcaktojini punët tuaja që një ditë më parë

Përcaktimi i punëve që një ditë më parë do t’ju ndihmojë që të fitoni kohë. Këshillohet që renditja e tyre të fillojë nga ata më me prioritetet tek ato më pak të rëndësishme.

Mos harxhoni kohë në takime të kota

Ka disa takime të cilat nuk mund t’i shmangni dot por ka edhe nga ato në të cilat prezenca juaj nuk është e nevojshme. Nëse mund të mbaroni punë me një email apo me një telefonatë, bëjeni dhe do ta shikoni që në fund të ditës, një zgjedhje e tillë do t’ju duket ajo e duhura sepse, nëse do kishit lëvizur për të shkuar në një takim jo shumë të rëndësishëm, nuk do të kishit përfunduar një punë tjetër e cila do të mbartej për të nesërmen.

Bëni pushime të rregullta gjatë ditës

Nuk këshillohet absolutisht të vraponi nga takimi në tjetrin apo nga një projekt në tjetrin, sepse një gjë e tillë nuk është aspak produktive. Këshillohet që gjatë orarit të punës ju të bëni pushime, shkëputje, kjo do t’ju ndihmojë që të fitoni energjitë e humbura dhe të rifilloni nga e para punën.

Punoni “offline” kur duhet

Kur duhet të hartoni raportin përmbyllës të një projekti këshillohet që t’i fikni të gjitha pajisjet që mund t’ju shpërqendrojnë, duke filluar që nga telefoni i zyrës, celulari dhe madje edhe email-et këshillohet që të mos i shikoni gjatë asaj kohe, sepse do të shpërqendroheshit duke u marrë me diçka tjetër dhe raportin nuk do ta mbyllni dot ose të paktën jo ashtu siç duhet./Mesazhi/