Zgjidh Nyjën e Suksesit
Ballina Kuriozitete Si u bënë gomari & elefanti simbole të demokratëve e republikanëve

Si u bënë gomari & elefanti simbole të demokratëve e republikanëve

Dy partitë kryesore në Shtetet e Bashkuara kanë dy kafshë të ndryshme si simbole të tyre. Gomari është simbol i Partisë Demokrate, ndërsa elefanti është simbol i Partisë Republikane. Këto dy kafshë janë pjesë e rëndësishme e fushatës së tyre elektorale. Por, pse pikërisht gomari dhe elefanti?

Të dy partitë kanë nga një simbol kafshësh: gomari për demokratët dhe elefanti për republikanët. Simbolet i sheh kudo: në kapele, stema, bluza dhe filxhanë. Por, si erdhën deri tek këto simbole?

Fillesat janë gjatë fushatës elektorale të Presidentit Andrew Jackson më 1828. Kundërshtarët e tij e shanin duke e quajtur ‘gomar’. Por, Jacksoni qeshi i fundit. Ai e bëri gomarin pjesë të fushatës së tij, dhe fitoi.

Karikaturistët ishin ata që e përjetësuan lidhjen e demokratëve me gomarin. Më i famshmi ishte Thomas Nast, i njohur si “Babai i filmave vizatimorë amerikanë“.

Ai përhapi edhe elefantin si simbol të republikanëve. Vizatimet e tij satirike u botuan në gazetën “Harper’s Weekly” në vitet ‘70. Por elefanti republikan është shfaqur shumë më herët në gazetën e fushatës pro-Linkolnit, “Ati Abraham”.

Një elefant mban lart një pankartë për të festuar fitoren ushtarake të Unionit. Në Luftën Civile shprehja “të shohësh elefantin” nënkuptonte pjesëmarrjen në betejë dhe rrezikun që vjen me të.

Me kalimin e viteve lidhja e republikanëve me elefantin është forcuar. Presidenti Gerald Ford dhe gruaja e tij, Betty, kishin një “dhomë elefantësh” në shtëpinë e tyre në Kaliforni.

Më 1984, Presidenti i Sri Lankës i dha Presidentit Ronald Reagan një elefant të vogël. Sot, republikanët e shohin elefantin si simbol zyrtar të partisë së tyre./VOA