Si u vodhën 100 mijë euro në shtëpinë e ish deputetit të LDK-së

Mbi 100 mijë euro i janë vjedhur para dy netëve ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës dhe të asamblistit të LDK-së në Prizren, Xhavit Ukaj. Ende nuk dihet se kush i vodhi paratë. Policia për këtë rast nuk ka asnjë të dyshuar.

Hajnat para dy netësh kanë targetuar një shtëpi të pasur në fshatin Piranë të Prizrenit, dhe aty kanë arritur të vjedhin hiç më pak se 100 mijë euro. Lajmin për këtë vjedhje, e cila besohet se ka ndodhur të shtunën rreth orës 20:20 deri në 22:30, e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në Prizren.

“Jemi në fazën e hetimeve. Për momentin nuk kemi asnjë të dyshuar”, i ka thënë Expressit, zëdhënësi i Policisë rajonale në Prizren, Hazir Berisha. Ai thotë se rasti po vazhdon të hetohet.

Ndryshe, ish-deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj, është pronar i kompanisë “Fatoni” e cila ka në pronësi tregun e Prizrenit, pika të karburantit, e edhe një supermarket në fshatin Piranë.