Siri, regjimi sërish përdor armë kimike në Gutën Lindore

Regjimi sirian i Bashar al-Asadit ka kryer sulm me armë kimike me përmbajtje të gazit klorin ndaj Gutës Lindore në Siri. Të paktën 30 civilë nga të cilët shumica gra dhe fëmijë janë prekur nga ky gaz, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga qendra e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Gutën Lindore, regjimi dje në orët e mbrëmjes ka sulmuar qytezën Hamurije me gaz klorin.

Nga sulmi u prekën 30 civilë nga të cilët shumica gra dhe fëmijë. Dy prej tyre mësohet se janë punonjës të Mbrojtjes Civile.

Regjimi i Asadit përdori armë kimike në Gutën Lindore të dielën e kaluar, pas vendimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për armëpushim njëmujor ndërkohë që 16 persona u ndikuan nga gazi.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) më 27 shkurt filloi hetimet lidhur me akuzat për përdorim të armëve kimike në Siri,

Përdorimi i armëve kimike nga ana e regjimit të Asadit duhej të përfundonte më 19 gusht të vitit 2014, meqenëse pas vrasjes së 1.400 civilëve me armë kimike në Gutën Lindore më 21 gusht të vitit 2013, ai ishte përfshirë në procesin e asgjësimit të rezervave të marrë përsipër nga OPCW-ja.

Hapjen e këtij procesi e kishte mundësuar Rusia për të penguar intervenimin e paralajmëruar nga SHBA-të. Megjithatë, pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike njoftoi se ka përfunduar asgjësimi i të gjithë rezervave, regjimi i Asadit, krahas vrasjeve, vazhdoi edhe sulmet kimike për frikësimin dhe dëbimin e popullatës.

Misioni i përbashkët i OKB-së dhe OPCW-së i njohur si Mekanizmi i Përbashkët Hetimor (JIM), më 27 tetor të vitit 2017 i paraqiti KS-OKB-së një raport, sipas të cilit regjimi mban përgjegjësi për masakrën me armë kimike në Han Shejhun më 4 prill të vitit 2017, në të cilën humbën jetën të paktën 100 civilë.

Vendimi i JIM-it nuk është i mjaftueshëm për gjykimin e përgjegjësve të masakrës para Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP). Meqenëse Siria nuk është anëtare e GJNP-së, regjimi duhet të dërgohet në GJNP nga KS-OKB-ja, në të cilën deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë hap. Ndërkohë, regjimi i Asadit vazhdon të përdorë armët kimike.