Siria, fushbeteja e përplasjes mes Iranit dhe Izraelit

Gjuha e ashpër dhe e mbushur me kërcënime të ndërsjellta është rikthyer mes Izraelit dhe Iranit, por duket se dy vendet janë përplasur edhe drejtpërdrejtë në Siri.

Teherani, si mbështetës i Bashar al-Assad ka angazhuar ndihmë logjistike, por edhe në trupa në konfliktin civil sirian. Një pjesë e këtyre trupave janë stacionuar në bazën ajrore të njohur si T-4, më e madhja e këtij lloji në Siri.

Izraeli ka deklaruar herë pas herë se pikërisht kjo bazë përdoret nga Irani për të ngritur në fluturim dronët e tij bombardues. Nga deklaratat në veprime konkrete. Në fillim të muajit prill baza u bombardua.

Fillimisht Rusia dhe më pas Irani drejtuan gishtin nga Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni e mohoi përfshirjen e vet dhe mënjeherë Moska e Teherani fajësuan F-15 e Izraelit.

Vetë Izraeli as ka konfirmuar, por as ka mohuar të ketë gisht në këtë sulm, që sipas agjencisë shtetërore të lajmeve FARS në Teheran la 7 ushtarakë iranianë të vdekur.

Që prej 2011, kohë kur nisi konflikti i armatosur në Siri, Izraeli ka ndërmarrë mbi 100 sulme ajrore në fqinjin verior, por në shënjestër ka qenë Hezbollah dhe grupet e tjera të lidhura me Iranin dhe Bashar al-Assad dhe asnjëherë trupat iraniane apo siriane drejtpërdrejtë.

Sulmi i fundit ishte ndryshe. “Izraeli bëri një gabim historik. Kjo është e pashembullt! Shënjestroi drejtpërdrejtë Gardën Revolucionare Iraniane”, deklaroi kreu i Hezbollah, Hassan Nasrallah.

Reagime pati edhe nga Irani.

“Nëse Izraeli dëshiron që të vazhdojë të ekzistojë duhet t’u japë fund këtyre veprimeve të pamenduara. Irani mund të shkatërrojë atë”, citohet një zëdhënës i Ajatollahut Khamenei nga agjencia FARS.

Nga ana e tij, Izraeli thotë se nën maskimin e ndihmave humanitare, Irani po armatos me armë grupin Hezbollah, që përdoret nga Teherani si vegël kundër Tel Avivit.