Situata me zjarret në veriun e Shqipërisë, FSK e zjarrfikësit nga Kosova në ndihmë të autoriteteve lokale

Kontingjenti i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i nisur në operacionin e shuarjes së zjarreve në Shqipëri dhe ekipi i zjarrfikësve tashmë ndodhen në Shqipëri dhe pritet shumë shpejt t’i bashkëngjitet ekipeve të zjarrfikësve dhe Ushtrisë Shqiptare në zonat e prekura nga zjarret.

Pas mobilizimit edhe të institucioneve të Kosovës në shuarjen e zjarreve në Shqipëri, saktësisht në pjesën veriore të Shqipërisë, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka bërë të ditur se në orët e para të mëngjesit pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat e Shëmrisë.

Meta ka shkruar se Tuneli i Kalimashit është plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt, raporton Telegrafi.

Meta në një postim në rrjetin social Facebook falënderon për angazhimin operacional të strukturave zjarrfikëse të Kukësit dhe të Kosovës.

Kryetari i Kukësit, Safet Gjici, ka thënë se situata me zjarret mbetet ende shumë e rëndë dhe vështirë e menaxhueshme teksa era po i favorizon vatrat e zjarrit.

Gjici bëri të ditur se janë duke intervenuar nga toka e ajri për të shuar zjarret teksa me ndihmën e pjesëtarëve të FSK-së dhe zjarrfikësve nga Kosova situata vazhdon të mbetet nën kontroll.

“Falë forcave që erdhën nga Kosova besoj që për dy-tre ditë të arrijmë të lokalizojmë zjarrin në Kukës”, citohet të ketë thënë Gjici.

Ndryshe, mbrëmë pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për t`i ofruar ndihmë Republikës së Shqipërisë në shuarjen e zjarreve, presidentja Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, në pajtim me kompetencat saj ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave dhe pajisjeve të FSK-së në operacion humanitar dhe në të njëjtën kohë e ka informuar për këtë veprim Kuvendin e Kosovës.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, përmes një Note verbale, ka përcjell kërkesën te Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve lokale të Kukësit për fikjen e zjarreve masive me të cilat është duke u përballuar Qarku i Kukësit në ditët e fundit.