Sllovaki, makina fluturuese AirCar më pranë realitetit

Makinat fluturuese mund të bëhen realitet brenda disa vitesh.

Kompania, Klein Vision, prototipi i të cilës ka marrë një çertifikatë ajrore nga Autoriteti Sllovak i Transportit, në përputhje me standardet evropiane të aviacionit (EASA), thotë se makina e saj fluturuese AirCar, tani është një hap më pranë hedhjes në treg.

Makina fluturuese AirCar po bën prova në kryeqytetin sllovak të Bratislavës. Me krahë që hapen dhe mbyllen, makina fluturuese përdor një motor 160 kuaj fuqi të firmës BMW, helika dhe parashutë speciale.

AirCar ka kryer 70 orë fluturime provë, 200 ngritje dhe ulje dhe aktualisht po teston kthesat me kënd 45 gradë.

Anton Zajac, bashkëthemelues dhe këshilltar i firmës Klein Vision thotë se makina fluturuese ka marrë çertifikatën ajrore në përputhje me standartet evropiane.

“Çertifikata konfirmon se mjeti ynë është ndërtuar në përputhje me të gjitha rregulloret e sigurisë në bazë të agjencisë evropiane të aviacionit.”

Trafiku i dendur dhe nevoja për të patur liri qarkullimi ndikuan tek ideja për krijimin e makinës fluturuese, thotë zoti Zajac.

“Makinat kanë qënë simbol i lirisë së lëvizjes. Shpesh e gjejmë veten të bllokuar në trafik. Objektivi ynë është t’ua kthejmë lirinë e lëvizjes atyre që kanë lejen e pilotit dhe njëkohësisht mund të ngasin një makinë. Ata mund të ngjiten në ajër dhe përshkojnë distanca deri në një mijë kilometra.”

Prototipi aktual mund të përshkojë një distancë prej 500 kilometrash dhe kërkon 28 litra karburant. Makina fluturuse tingëllon paksa futuriste por zoti Zajac ka besim se ekziston një treg për mjetin që mund të kushtojë rreth 600-700 mijë dollarë.

Aktualisht, kompania është duke punuar në prototipin e saj të ardhshëm, i cili do të përshkojë një distancë prej 1000 kilometrash me një shpejtësi 300 kilometra në orë.

Disa argumentojnë se hapësira ajrore do të rëndohet pasi mes të tjerave është shtuar edhe përdorimi i dronëve. Por zoti Zajac thotë se AirCar është më efikas.

Shumë kompani po përpiqen të rrisin gamën e prodhimit të mjeteve ajrore elektrike ndërsa auto-industria është fokusuar tek makinat elektrike. E gjithë enigma qëndron tek fuqia e baterisë, pesha e saj dhe përshtatja tek industria ajrore./VOA/