Ballina Artikuj Sonte është Viti i Ri Hixhri

Sonte është Viti i Ri Hixhri

Hoxhë Halil Avdulli

Sonte është nata e Vitit të Ri Hixhri 1448, vlen të kujtojmë se kalendari hënor, i njohur edhe si kalendari islam, është një kalendar që bazohet në ciklin e Hënës për përcaktimin e muajve.
Ky kalendar u vendos nga Omer ibn Hatabi r.a. në vitin e 14-të hixhri, pas zgjerimit të shtetit islam. Si pikënisje u mor hixhreti i Profetit Muhamed ﷺ nga Meka në Medinë, më 12 Rebiu’l-Evvel (24 shtator 622 e.s.), prej nga rrjedh edhe emërtimi “kalendar hixhri”.
Kalendari hixhri përbëhet nga dymbëdhjetë muaj hënorë dhe viti i tij ka rreth 354 ditë. Për shkak të diferencës prej rreth njëmbëdhjetë ditësh me kalendarin gregorian, të dy kalendarët nuk përkojnë plotësisht.
Kalendari në Kuran
Kurani e pohon rëndësinë e kalendarit diellor dhe atij hënor njëkohësisht, ndërsa shndërrimi ndërmjet kalendarit hixhri dhe atij gregorian përmendet në Kuran, në suren El-Kehf:
«Dhe ata qëndruan në shpellën e tyre treqind vjet dhe iu shtuan edhe nëntë.» (El-Kehf, 25)
Sipas komentimit të këtij ajeti, te Ehli Kitabi thuhet se ata qëndruan treqind vjet diellore, ndërsa këtu përmenden treqind vjet hënore. Diferenca midis viteve diellore dhe atyre hënore është rreth tre vjet për çdo njëqind vjet; kështu, në treqind vjet rezultojnë nëntë vjet shtesë. Për këtë arsye Kurani përmend: «dhe iu shtuan edhe nëntë», për t’ua sqaruar dallimin midis kalendarit diellor të përdorur në kohën e banorëve të shpellës dhe kalendarit hënor që përdorej te arabët.
Gëzuar Vitin e Ri Hixhri 1448! Lusim Allahun që ky vit i ri të jetë vit i paqes, mirësisë, begatisë dhe i përparimit për mbarë umetin islam.

Hoxhë Halil Avdulli