Sot konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore

Gjatë ditës së sotme pritet që të konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me dyshimet për keqpërdorimin me rezerva shtetërore.

Puna e këtij komisioni do të jetë që të hetojë procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Iniciativën për themelimin e këtij komisioni e ka marrë shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai gjatë seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës është shprehur se duhet të zbardhen të gjitha dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore nga ana e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Rikujtojmë se në skandalin me furnizimin me rezerva shtetërore dyshohet se janë të përfshirë ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, pronari i “Buke e Zemër”, Ridvan Muharremi dhe disa zyrtarë të tjerë.