Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq tha se vendi i tij është i vendosur ta meritojë vendin në Bashkimin Evropian (BE) përmes reformave dhe ta shndërrojë përparimin që po arrin në një mundësi për gjithë Ballkanin Perëndimor, raporton Anadolu.
Duke folur në Samitin e liderëve të Procesit të Berlinit që po mbahet në Mal të Zi, Spajiq theksoi se zgjerimi i BE-së përfaqëson ribashkimin e kontinentit evropian dhe se synimi i bashkëpunimit rajonal është krijimi i kushteve më të mira të jetesës, vendeve të reja të punës dhe perspektivës për të rinjtë.
Duke përshëndetur pjesëmarrësit e samitit, mes tyre kancelarin gjerman Friedrich Merz, Spajiq falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës së tij evropiane. “Përkushtimi i Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor e ka ruajtur premtimin themelor evropian se reformat, pajtimi dhe bashkëpunimi hapin rrugën drejt një të ardhmeje të përbashkët”, tha Spajiq.
Ai theksoi se Mali i Zi beson se suksesi i vendeve fqinje krijon mundësi shtesë edhe për zhvillimin e tij, prandaj bashkëpunimi rajonal duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe ekonominë. Ai shtoi se përmes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe lidhjeve më të forta me BE-në duhet të mundësohet qarkullimi më i shpejtë i mallrave përtej kufijve, njohja më e lehtë e kualifikimeve dhe qasja e kompanive në tregje të reja.
“Kjo kërkon reforma ekonomike, institucione të forta, konkurrencë të ndershme dhe investime në aftësi profesionale, infrastrukturë dhe energji të pastër. Afrimi me standardet evropiane nënkupton që standardi evropian i jetesës të bëhet i arritshëm për familjet në mbarë rajonin tonë. Kjo do të thotë se të rinjtë mund të ndërtojnë karrierën e tyre këtu, me besim në të ardhmen e tyre”, tha ai.
Spajiq tha se pikërisht këto kushte përbëjnë themelet e stabilitetit, por edhe të sigurisë evropiane. Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Spajiq përsëriti mbështetjen e palëkundur të Malit të Zi për këtë vend, sovranitetin dhe integritetin e tij territorial, duke theksuar se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë.
“Ne qëndrojmë fuqishëm përkrah Ukrainës, popullit të saj, sovranitetit dhe integritetit territorial. Mbështetja për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme nënkupton respektimin e parimit se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe se çdo komb ka të drejtë ta zgjedhë të ardhmen e vet”, tha Spajiq.
Ai theksoi se Evropa duhet të tregojë të njëjtën qartësi dhe vendosmëri edhe në politikën e zgjerimit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një proces historik që shkon përtej lidhjes institucionale të shteteve.
“Zgjerimi është ribashkimi i kontinentit tonë. Ai nënkupton zgjerimin e premtimit për liri, siguri dhe mundësi për evropianët, vendi i të cilëve në shtëpinë tonë të përbashkët ende nuk është realizuar. Në një kohë ndryshimesh, Evropa ka vetëbesimin për të marrë vendime historike. Fuqia e saj qëndron te cilësia e jetës që kanë mundësuar demokracia, sundimi i ligjit dhe solidariteti”, tha Spajiq.
Ai shtoi se vlerat dhe arritjet evropiane duhet të ruhen, por edhe të bëhen të qasshme për një numër më të madh qytetarësh të kontinentit.
“Jemi të vendosur ta ruajmë këtë arritje dhe ta bëjmë të qasshme për më shumë evropianë. Një politikë e besueshme e zgjerimit, e bazuar në merita, dëshmon se Evropa mund të veprojë me vendosmëri për të formësuar të ardhmen e saj. Mali i Zi është i vendosur ta meritojë vendin e tij përmes reformave dhe ta shndërrojë përparimin tonë në një mundësi për gjithë rajonin”, theksoi kryeministri.
Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve të samitit që diskutimet t’i shndërrojnë në angazhime afatgjata dhe bashkëpunim konkret, në mënyrë që vendet e rajonit ta ndërtojnë së bashku të ardhmen evropiane. Procesi i Berlinit synon forcimin e bashkëpunimit rajonal, lidhjeve ekonomike dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Me samitin e së enjtes, Mali i Zi përmbyll kryesimin e Procesit të Berlinit, gjatë të cilit janë organizuar 26 ngjarje, prej tyre 14 në nivel ministror. Sipas të dhënave të qeverisë malazeze, ky është numri më i madh i aktiviteteve gjatë një kryesimi të kësaj nisme.
Në fokus të diskutimeve do të jenë nismat e përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin e rajonit dhe afrimin e tij me BE-në.



