Ballina Sport Futboll Spanjë – Francë, spektakël e dramë, por “Stuhia e kuqe” kalon në...

Spanjë – Francë, spektakël e dramë, por “Stuhia e kuqe” kalon në finalen e Ligës së Kombeve

Spanja i është bashkuar Portugalisë në finalen e Ligës së Kombeve pas fitores ndaj Francës.

Gjysmëfinalen e zhvilluar në “Stuttgart Arena” të enjten mbrëma, Spanja e fitoi me rezultatin 5:4.

Në fushë pati një numër të madh të yjeve të futbollit, por vëmendja ishte te dy pretendentët për “Topin e Artë”, Ousmane Dembele dhe Lamine Yamal. Ceremonia e çmimit prestigjioz mbahet më 22 shtator në Paris.

Por ishte futbollisti i Barcelonës, talenti Yamal, ai i cili e mori vëmendjen.

Spanja krijoi epërsi të shpejtë prej dy golash brenda tre minutave.
Në minutën e 22-të, për 1:0 realizoi Nico Williams, ndërsa Mikel Merino e dyfishoi rezultatin tre minuta më vonë.

Futbollistit të ri të Real Madridit, Dean Huijsenit iu anulua një gol i minutës së 44-t për pozitë jashtë loje.

Pjesa e dytë nisi furishëm nga spanjollët. Yamal shënoi për 3:0 në minutën e 54-t nga penalltia e fituar vetë, ndërsa vetëm një minutë më vonë, Pedri realizoi për 4:0.

Kylian Mbappe nga ana tjetër nga penalltia po ashtu shënoi për 4:1, pas afro një ore lojë.
Yamal realizoi tjetër gol në minutën e 67-të për 5:1.

Franca u mundua të kthehej në lojë dhe realizoi dy herë. Një herë me supergolin e Ryan Cherkit në minutën e 79-të. Cherki e ndali topin dhe me vollej-gjuajtje e mposhti portierin Unai Simon.
Dani Vivian gjashtë minuta para fundit realizoi autogol për 5:3.

Cherki asistoi edhe në golin e katërt të Francës, që nuk arriti të bënte më shumë. Për 5:4 shënoi Randal Kolo Muani.

Yamal ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për Barcelonën e Spanjën.

Ai ka dhënë kontribut në 76 gola, me gola e asistime të realizuara.

Si 17-vjeçar është fitues i Kampionatit Evropian me Spanjën, ndërsa me Barcelonën e ka fituar La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës.

Në fakt ai i ka dy La Liga, pasi si 15-vjeçar luajti një ndeshje në edicionin 2022-23.

Tani e ka rastin ta fitojë edhe Ligën e Kombeve me Spanjën, në finalen e 8 qershorit në Munich ndaj Portugalisë. Ndeshja nis në orën 21:00.

Ndërkohë në stadiumin e Stuttgartit, Franca luan nga ora 15:00 me Gjermaninë, në ndeshjen për vend të tretë.

Në gjysmëfinale, të dyja përfaqësueset arritën falë ekzekutimit të penalltive.

Spanja e kishte eliminuar Holandën, ndërsa Franca kishte fituar ndaj Kroacisë.
Portugalia në vitin 2019, Franca në vitin 2021 dhe Spanja në vitin 2023, janë fitueset e tri edicioneve të para të Ligës së Kombeve.