Sqarim i domosdoshëm për obligueshmërinë e shamisë në Kuran dhe Sunet

Prof. Adnan Simnica

Sqarimi im shkurtimisht lidhet direkt si reagim ndaj atyre gjithologëve famëkeqë që po i keqinterpretojnë ajetet kuranore, me spekulimin se kinse shamia nuk përmendet fare në Kuran, apo edhe ndaj disave që pa dashje po bien pre e tyre.

Ju lutem, Zoti, xh.sh., në mënyrë të prerë, të drejtëpërdrejtë (decidivisht), e ka urdhëruar edhe shaminë (mbulesën e kokës) në Kuran dhe Hadith/Sunet (urdhëresat që i shpalleshin Muhamedit, a.s., si dhe praktikat e tij).

1. Ajetet nga Kurani:

– “Thuaju besimtareve… le ta mbulojnë gjoksin e kraharorët me (himarin) shaminë e kokës së tyre…” (En Nur: 31)
– “O Pejgamber, thuaju grave dhe vajzave tua, si dhe grave të besimtarëve që ta mbulojnë trupin e tyre me shaminë e tyre…” (El Ahzab: 59)
– …… etj.
Sa për sqarim, të gjithë fjalorët e fjalëve kuranore dhe komentimeve të tyre (tefsireve) e vërtetojnë këtë fakt të shamisë, i cili theksohet direkt në Kuran, se “himar/humur” nënkupton drejtëpërdrejt mbulimin e kokës (shaminë), si edhe parimisht “xhilbab/xhelabib”, e cila përfshin edhe mbulimin e trupit. Kurse “xhejb/xhujub” nënkupton pjesën e sipërme të gjoksit deri te fyti, duke përfshirë edhe kraharorët, pjesë të cilat asokohe nuk i mbulonin me shaminë e kokës. Prandaj, Allahu, xh.sh., urdhëron mbulimin e saj dhe të flokëve tërësisht, si dhe të atyre pjesëve të theksuara.
Mbështetur në këtë të vërtetë të qartë, të gjitha interpretimet e tjera janë tendencioze dhe qëllimkëqija.

2. Hadithi/Suneti (i cili është burim i dytë sheriatik (legjislativ) pas Kuranit, pasi Allahu, xh.sh., në shumë ajete e ka dëshmuar këtë fakt dhe ka urdhërua për pasimin e tij).

– Aisheja, r.a., (bashkëshortja e Muhamedit, a.s.), thekson në transmetimin e saktë të Buhariut (4481), se pasi zbriti ajeti i sipërpërmendur (En Nur: 31), besimtaret e zbatuan menjëherë (meqë e kuptuan urdhëresën e shpallur në Kuran, e cila edhe u vërtetua e u sqarua prej Muhamedit, a.s.).
– Rasti kur gratë e Muhamedit, a.s., dilnin në mbrëmje afër vendit (El Bekia) në Medine dhe përziheshin edhe me njerëz të tjerë, dhe pasi Omeri, r.a., e diskutoi këtë gjë me Muhamedin, a.s., atëherë zbriti ajeti që e obligon mbulesën si tërësi. (Buhariu: 146. Muslimi: 2170).
– …etj.
Duhet theksuar se prej shokëve të Muhamedit, a.s., (sahabëve) teorikisht dhe praktikisht transmetohet shumë herë zbatimi konkret i urdhëresave të tilla.

Faleminderit!

Prof. Adnan Simnica