Bisedime mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zhvillohen më 6 shkurt në Turqi, konkretisht në Stamboll, me pjesëmarrjen e diplomatëve nga disa vende arabe dhe muslimane, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Sipas një zyrtari arab, që foli për AFP në kushte anonimiteti, takimi mes negociatorëve amerikanë dhe zyrtarëve të lartë iranianë është planifikuar pas ndërmjetësimeve të Turqisë, Egjiptit, Katarit dhe Omanit.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, planifikojnë të takohen të premten në Stamboll për të diskutuar një marrëveshje të mundshme bërthamore dhe çështje të tjera.
Zyrtari amerikan tha se presidenti Trump ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje dhe se takimi synon të dëgjojë qëndrimet e palës iraniane.
Nga ana e tij, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Iranit deklaroi më herët se Teherani po shqyrton kushtet për rifillimin e bisedimeve me SHBA-në, pasi të dyja palët kanë sinjalizuar gatishmëri për të ringjallur diplomacinë dhe për të shmangur një konflikt të ri rajonal.
Takimi i planifikuar u raportua fillimisht nga faqja amerikane Axios, e cila njoftoi se në samit pritet të marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të Turqisë, Pakistanit, Katarit, Egjiptit, Omanit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite. Sipas burimeve, megjithatë, asgjë nuk konsiderohet përfundimtare deri në zhvillimin e takimit.
Ndërkohë, presidenti Trump paralajmëroi për pasoja serioze nëse negociatat dështojnë, duke deklaruar se “ndoshta do të ndodhin gjëra të këqija” në mungesë të një marrëveshjeje, ndërsa konfirmoi praninë e forcave ushtarake amerikane në rajon.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se Irani është i gatshëm për diplomaci, duke theksuar se Teherani ka qenë gjithmonë i hapur për negociata, për sa kohë ato bazohen në respekt të ndërsjellë dhe marrjen parasysh të interesave të palëve. /mesazhi








