“Stenta 2”, lirohen nga akuzat 36 mjekë

Janë liruar nga aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare e ryshfet, 36 mjekët e akuzuar në rastin e njohur si “Stenta 2”. Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas trupit gjykues, 36 mjekët janë liruar sepse nuk është provuar se kanë kryer veprat penale që u viheshin në barrë.

Në këtë rast, fillimisht ishin të përfshirë 45 mjekë, por më pas procedura ishte veçuar për disa prej tyre, e dy kanë vdekur. Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar. Agani dhe Shabani, janë liruar po ashtu nga akuza.