Stoltenberg: NATO do të ulet dhe trajtojë shqetësimet e Ankarasë

NATO do të trajtojë shqetësimet e Türkiye-s në lidhje me synimin e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kur një aleat, Turqia, ngre shqetësime, atëherë ne duhet të bëjmë atë që bëjmë gjithmonë në NATO dhe kjo është të ulemi, t’i trajtojmë ato shqetësime dhe më pas të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara”, u tha Jens Stoltenberg gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pas një takimi me presidentin Joe Biden.

“Kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë tani. Ne jemi në kontakt të ngushtë me Ankaranë, me udhëheqjen politike atje. Kam folur me presidentin (Recep Tayyip) Erdoğan dhe gjithashtu jam në kontakt shumë të ngushtë me Suedinë dhe Finlandën”, tha ai.

Stoltenberg do të organizojë një takim me zyrtarë të lartë nga tri vendet përpara një samiti të NATO-s më 28 qershor.

Përveç kësaj, ai tha se Türkiye duhet të njihet si “një aleate e rëndësishme”, gjë që ai tha se “kontribuon në sigurinë në shumë mënyra të ndryshme”.

Ai përmendi “lokacionin gjeografik strategjik” të vendit në kufi me Irakun dhe Sirinë dhe “rolin e saj kyç” në luftën kundër grupit terrorist DEASH.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO më 18 maj, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Por Turqia, anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj aplikimeve të tyre për anëtarësim, duke kritikuar shtetet nordike për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste si YPG/PKK dhe FETO.

Të gjitha aplikimet për anëtarësim duhet të miratohen me unanimitet në aleancën prej 30 anëtarësh që të jenë të suksesshme. /aa